OPOZITA: 500.000 NJERËZ JETOJNË ME 150 DEN NË DITË!
Zhvillimi dhe progresi I Maqedonisë së Veriut në masë të madhe varet nga kushtet e punës dhe standardet bashkëkohore të punëtorëve – thotë Presidenti Stevo Pendarovski në urimin e tij për 1 Majin – Ditën Ndërkombëtare të Punës, njofton KlanM.
“Detyra jonë është që të sigurojmë që punëtorët të kenë arsimin dhe trajnimin e duhur, të ketë trajtim korrekt nga punëdhënësit, t`i mënjanojmë barrierat për pjesëmarrje të plotë në vendin e punë për qytetarët me pengesa. Të përkushtohemi për të siguruar mundësi për të gjithë, për shkak se secili punëtor meriton respektin dhe ka të drejtë për jetë dinjitoze” – tha Pendarovski.
Punëtori, të drejtat dhe obligimet e punëtorit, siguria dhe mbrojtja e tyre në punë, valorizimi i barabartë, respektimi i secilit prej tyre, doemos të jetë në majë të prioriteteve për çdonjërin nga faktorët shoqërorë – percjell KlanM, urimin e Kryeparlamentarit Talat Xhaferi.
“Dëshiroj të shpreh bindjen time të fortë se 1 Maji nuk duhet të na kujtojë vetëm sot, por gjithë 365 ditët të vitit se ndërtimi i shoqërisë së barabartë të qytetarëve të barabartë fillon prej njeriut më të rëndomtë, prej vendeve më të vogla të punës deri te ato më të lartat” – deklaroi Xhaferi.
Ju jeni shtylla e shoqërisë sonë, kurse ne e njohim dhe vlerësojmë kontributin tuaj për suksesin e përbashkët dhe zhvillimin ekonomik. Në këtë mënyrë, sic njofton KlanM, Zv/Kryeministri për Çështje Ekonomike, ka uruar 1 Majin.
“Gjatë gjithë këtyre viteve me sindikatat kemi partneritet dhe jemi bashkë me sfidat siç janë marrëveshja kolektive në sektorin publik, si dhe harmonizimi i pagave me rritjen e pagës minimale. Mbetemi në rrugën e mbështetjes sistematike për luftën për të drejtat e punëtorëve, asnjëherë nuk do të jeni vetëm, gjithmonë do të kemi aleat në luftën për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave tuaja” – tha Bytyqi.
Këtë 1 Maj, Qeveria e uron me ligjin për rritjen e punës javore, me pagën minimale që nuk respektohet, me shkeljen e të drejtave të punëtorëve – percjell KlanM akuzat nga VMRO-DPMNE-ja.
“Pesë vitet e fundit Maqedonia është duke i jetuar në mizerje. Kjo çështje nuk mund t`i shmang momentet e migrimit të fuqisë punëtore, mungesës së investimeve të huaja, mos hapjes së vendeve të punës, punëtorë që nuk kanë marrë pagat, inflacionin që rritet, çmimet që nuk ndalen, kurse shteti është në borxhe. Gjysmë million njerëz jetojnë në varfëri me vetëm 150 denarë në ditë” – thonë nga VMRO-DPMNE.
Për Ju, dyert e Qeverisë gjithmonë janë të hapura. Bashkë, krah për krahu, do t`i zgjidhim të gjitha sfidat – thuhet në urimin e Kryeministrit Dimitar Kovaçevski, duke rikujtuar, sic thuhet, të arriturat e Qeverisë lidhur me të drejtat e punëtorëve. /KlanMacedonia/