Policia suedeze shkatërroi objektin jashtë ambasadës izraelite në Stokholm

Një “objekt i rrezikshëm” i gjetur jashtë ambasadës izraelite në Stokholm është shkatërruar, thotë policia suedeze.

Incidenti – i cilësuar si një “tentativë sulmi” nga ambasadori izraelit – bëri që oficerët të rrethonin një zonë të gjerë aty pranë.

Policia tha për BBC se ishte shumë herët për të dhënë detaje të mëtejshme mbi objektin. Ata thanë se askush nuk ishte lënduar.

Një zëdhënës i tha më vonë agjencisë së lajmeve AFP se stafi kishte gjetur një pajisje “live” dhe kishte njoftuar oficerët rreth orës 13:10 me kohën lokale.

Objekti u vlerësua nga skuadra kombëtare e bombave, të cilët zgjodhën ta shkatërronin atë, shtoi zëdhënësi.

Një reporter i TV4 dëgjoi një zhurmë në vend.

Ndërkohë, transmetuesi kombëtar SVT tha se policia e armatosur shkoi në vendngjarje dhe solli me vete thasë me rërë, që thuhet se do t’i përdornin gjatë asgjësimit të objektit.

Ambasadori izraelit në Suedi tha se kishte pasur një “tentativë sulmi” ndaj ambasadës dhe punonjësve të saj.

“Ne nuk do të trembemi nga terrori,” postoi Ziv Nevo Kulman në X. Ai falenderoi autoritetet suedeze për “veprimin e tyre të shpejtë”.

Në postimin e saj, zëvendëskryeministrja e Suedisë Ebba Busch tha se ajo ishte “e tronditur”, duke shtuar: “Urrejtja kundër Izraelit është e frikshme. Ekstremizmi i dhunshëm duhet të ndalet”.

Policia thotë se është duke hetuar dhe nuk ka thënë se kush mund ta ketë vendosur mjetin e dyshimtë.

Ambasada ndodhet buzë ujore në zonën e pasur Ostermalm të qendrës së qytetit të Stokholmit, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share