Policia: Siguria në Kosovë gjatë 2024-ës ishte e qetë – në veri situata më e brishtë

Policia e Kosovës i ka paraqitur rezultatet, nga siç thanë, arritjet e përgjithshme gjatë vitit që po e lëmë pas.

Policia tha se viti 2024 ishte mjaft sfidues për ta për sa i përket sigurisë në përgjithësi, e në veçanti në veri të vendit, por sipas tyre, puna dhe përkushtimi nga ta, vërtetuan se Policia e Kosovës është e gatshme dhe e përgatitur për t’u përballur me të gjitha rreziqet dhe kërcënimet ndaj rendit publik dhe sigurisë së vendit.

“Ndër objektivat dhe detyrat kryesore të PK-së, kanë qenë zbatimi i ligjit në mënyrë efikase dhe efektive, parandalimi dhe luftimi i të gjitha formave të kriminalitetit, mbikëqyrja dhe kontrolli i kufirit shtetëror, bashkëpunimi ndërkombëtar në fushën e zbatimit të ligjit si dhe ofrimi i shërbimeve për qytetarët pa dallim”.

“Siguria e përgjithshme në Kosovë edhe gjatë kësaj periudhe kohore të këtij viti ka qenë e qetë, në përjashtim në veri të vendit, ku situata ka qenë e brishtë dhe e cenuar nga disa sulme kriminale e terroriste, duke veçuar sulmin terrorist ndaj Stacionit Policor në Zveçan, sulmin terrorist në objektin e Komunës së Zveçanit, sulmin terrorist ndaj infrastrukturës kritike në kanalin e Iber Lepencit në Zubin Potok, si dhe konfiskimin e një sasie të konsiderueshme të armatimit, municionit e pajisjeve të ndryshme ushtarake”, thuhet në njoftimin e policisë, transmeton Klankosova.tv.

Më tej, policia tha se rastet dhe sulmet e tilla kriminale dhe terroriste në veri, kishin për qëllim cenimin e rendit dhe sigurinë publike por edhe pengimin e zbatimit të ligjit në mënyrë të barabartë për të gjithë.

“Mirëpo Policia e Kosovës me vendosmërinë e sajë ka arritur të menaxhojë situatën në mënyrën më profesionale të mundshme”, thuhet në njoftim.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share