Policia e Kosovës ka pranuar donacion vetura dhe pajisje teknologjike nga Ambasada Gjermane.
Drejtori i Përgjithshëm, Gazmend Hoxha, është shprehur mirënjohës ndaj ambasadës gjermane për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Policisë së Kosovës, teksa ka thënë se dhurimi i këtyre donacioneve do të ndikojë pozitivisht në luftimin e të gjitha akteve kriminale.
Njëherit, pjesë e ceremonisë zyrtare ishte edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovës, Jorn Rohde si dhe menaxhmenti i lartë i PK-së.
“Me datën 19 janar 2024, përmes ceremonisë zyrtare ku morën pjesë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës kolonel Gazmend Hoxha, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë z. Rohde si dhe menaxhmenti i lartë i PK-së, u nënshkrua pranim-dorëzimi i donacionit me vetura si dhe pajisje të teknologjisë për Policinë e Kosovës nga shteti gjerman, gjegjësisht Ambasada Gjermane në Kosovë. Drejtori i Përgjithshëm, kolonel Hoxha, ndër të tjera tha se Policia e Kosovës është mirënjohëse ndaj Ambasadës Gjermane për përkrahjen e vazhdueshme për Policinë e Kosovës në avancimin e mëtutjeshëm të kapaciteteve operacionale, logjistike dhe të teknologjisë. Përkrahja nga partneret tanë ndërkombëtarë do të ndikojë në mënyrë pozitive në luftimin e të gjitha akteve kriminale, do të ndihmojë drejtpërsëdrejti në kryerjen e aktiviteteve policore në terren si dhe do të rrisë efikasitetin e punës policore në shumë fushëveprime”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Po ashtu, thuhet se Rohde ka theksuar se automjetet dhe pajisjet e dhuruara, janë pjesë e një bashkëpunimi, brenda të cilit Policia Federale Gjermane ndanë teknologjinë më moderne dhe taktikat hulumtuese, kështu duke e forcuar përkushtimin e Kosovës për të siguruar kufijtë e saj dhe për të kontribuar në sigurinë e të gjithë rajonit.
“Ambasada e Republikës së Gjermanisë si partnerë i përhershëm i Policisë së Kosovës gjatë dy viteve të fundit 2022 dhe 2023 ka përkrahur Policinë e Kosovës, më konkretisht Policinë Kufitare në ngritje të kapaciteteve operacionale dhe logjistike me 59 vetura, 5 kombi-bus dhe 10 motorë të terrenit, në fushën e teknologjisë informative me 130 kompjuter, 16 llaptop, laborator për pikën kufitare Hani i Elezit, projektorë, pajisje të ndryshme për kontrollimin e dokumenteve dhe skenimin e veturave gjatë kontrollit në kufi, dylbi, kamera termike, detektor për identifikim te njerëzve dhe pajisje tjera”, thuhet tutje në komunikatë.
Po ashtu, një kontribut të veçantë nga ambasada gjermane, policia kufitare ka pranuar në ngritjen edhe të kapaciteteve të burimeve njerëzore ku janë mbajtur 20 trajnime të ndryshme me pjesëmarrje të mbi 150 zyrtarëve policorë.
Policia e Kosovës shpreh mirënjohjen e saj për ambasadën e Gjermanisë, për përkrahjen dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj PK-së, e cila vazhdon të mbetet e përkushtuar në përmbushjen e vizionit dhe misionit të saj në shërbim ndaj vendit dhe qytetarëve pa dallim.