Policia arreston politikanin serb Arsenijeviq, pengoi punëtorët që po lyenin tek ura e Ibrit

Policia e Kosovës ka arrestuar sot serbin e njohur në veri të vendit nga partia Demokracia Serbe, Aleksandar Arsenijeviq.
Kjo është konfirmuar nga zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në veri, Veton Elshani.

Sipas Elshanit deri tek arrestimi i Arsenijeviq erdhi për shkak se ai ka penguar punëtorët e komunës së Mitrovicës së Veriut si dhe ka refuzuar urdhrat policore.

I lartcekuri është arrestuar në afërsi të urës së Ibrit, ku punëtorët e komunës ishin duke e lyer murin.

Arrestimi i politikanit serb i cili njihet për provokime të shpeshta në drejtim të shqiptarëve është bërë në ditën kur në Mitrovicë të Veriut po zhvillohet një debat në lidhej me hapjen e urës së Ibrit.

Në debat do të marrin pjesë përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, të komunës së Mitrovicës së Veriut, teksa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje serbëve që të marrin pjesë në të për “shprehur shqetësimet e tyre të cilat do të trajtohen nga përfaqësuesit tanë institucionalë dhe institucionet e vendit”.

Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në mes të korrikut njoftoi se synon të hapë urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Megjithatë, vendet e QUINT-it – SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia – më 2 gusht deklaruan se nuk e mbështesin hapjen e urës në këtë moment.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, deklaroi se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, më 1 gusht përsëriti qëndrimin e BE-së se çështja e hapjes së urës në Mitrovicë duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut, duke pasur parasysh që për këtë ekziston një marrëveshje.

KFOR-i gjithashtu deklaroi se nuk do të hezitojë të reagojë nëse ekziston rreziku që ngjarjet të ndikojnë në sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

Pavarësisht insistimit të kryeministrit Kurti për hapjen e urës, serbët janë duke e refuzuar një gjë të tillë vazhdimisht.

Kjo ishte arsyeja edhe pse ata dje protestuan në veri të vendit, duke thënë se përderisa Kurti po e hap urën e Ibrit, BE dhe SHBA vetëm po lëshojnë komunikata.

Duhet theksuar se Qeveria tashmë ka kontraktuar kompaninë e cila do të merret me matjet, renovimet e gjithçka që ka të bëjë me urën e Ibrit, në mënyrë që të dihet fuqia e saj për qarkullimin e automjeteve në këtë anë./Lajmi.net/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share