Për trajnerin e Chelsea, situata e sulmuesit kuqezi i ngjan asaj të kapitenit të Anglisë
Situata e Armando Brojës i kujton trajnerit të Çelsit Mauricio Poçetino bomberin Harry Kane kur ishte i ri dhe këmbëngul se ai mund të bëhet “një sulmues i madh”
22-vjeçari konsiderohet si një ndër lojtarët më me potencial i dalë nga akademia e bluve të Londrës, por që ende nuk ka arritur të japë më të mirën pas huazimeve të Vitese dhe Southampton. Me zërat për largimin e tij që janë shtuar, Poçetino tha se ai beson te aftësitë e lojtarit kuqezi.
“Unë ende besoj se ai ka potencialin për të qenë një sulmues i jashtëzakosnhëm. Procesi kërkon kohë! Unë gjithmonë e krahasoj atë me Harry Kane. Ai shkoi në huazim te Leyton Orient, Norwich dhe iu desh kohë të gjente ekuilibër. Në gjashtë muajt tanë të parë, ai nisi të bënte mirë vetëm në dhjetor dhe janar, dhe vetëm atëherë ne filluam të shihnim potencialin e tij të vërtetë!”
Tekniku argjentinas ka edhe një këshillë për Brojën.
“Ai është një lojtar që ka vuajtur një dëmtim të madh sezonin e shkuar. Por këtë gjë duhet ta lëjë pas. Kjo është e vështirë. Pastaj ne jemi te Çelsi, ai po përpiqet të japë rezultate duke u krahasuar me emra të mëdhenj si Drogba, Hasselbank apo të tjerë. Kjo është e vështirë për një djalë të ri!”
Ndërsa lajmet për largimin e sulmuesit kuqezi vazhdojnë që të jenë të pranishme në këtë merkato dimri, tekniku i bluve tha se sulmuesit e rinj duhet të mësohen me të tilla gjëra, që të arrijnë madhështinë e Heri Kejnit.
Klan News