Platforma e legjitimitetit, Mickoski: Nismat e BDI-së kërcënojnë paqen dhe stabilitetin e RMV-së

Kryeministri Hristijan Mickoski, gjatë një interviste për javoren “Fokus” ka vlerësuar se nismat e BDI-së për të legjitimuar në sistemin juridik parimin “fituesi me fituesin” dhe për riorganizimin territorial sipas modelit belg, cënojnë paqën dhe stabilitetin e vendit dhe se kanë potencial të shkaktojnë edhe konflikte.

Ai nuk ka përjashtuar mundësinë, sic thotë, disa struktura dhe grupe brenda integristëve të jenë të manipuluar.

“Me këtë sjellje të papërgjegjshme, BDI-ja cënon pasqyrën interetnike në vend dhe paraqet kërcënim për paqën dhe stabilitetin e Maqedonisë si shtet. Dhe, ne do t`i ndërmarrim të gjitha masat e domosdoshme si Qeveri, për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Maqedonisë. Në fakt, këto mesazhe janë përpjekje që me çdo kusht të mbrohet pasuria e arritur gjatë 20 viteve të pushtetit. As Ballkanit e as Evropës nuk i duhet një konflikt tjetër. E shohim se si zhvillohet situata në Kosovë, B e H, të mos flas për luftën në Ukrainë”, tha Mickoski.

Mickoski gjatë intervistës për “Fokus” ka potencuar se ka informacione se po përgatiten skenare rruge dhe protesta të dhunshme.

“Ende i kam këto informata. Unë flas për protesta. Derisa janë demokratike dhe të qeta, janë legjitime. Nëse kalojnë në të dhunshme, atëherë si qeveri kemi të drejtë ta mbrojmë integritetin territorial dhe sovranitetin e vendit”, u shpreh Mickoski.

Gjatë një tubimi partiak më 13 korrik në Gostivar, Bashkimi Demokratik për Integrim në Gostivar, miratoi tri rezoluta – për domosdoshmërinë e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes për fqinjësi të mire, së bashku me ndryshimet kushtetuese dhe Rezoluta mbi organizatën politike.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, njoftoi se ka angazhuar z. Pol Uilliams për të draftuar një platformë mbi legjitimitetin ndëretnik të institucioneve në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit.

Dr. Paul Uilliams, i njohur si autor i Marrëveshjes së Ohrit nga viti 2001, kishte konfirmuar eksluzivisht për Klan Maqedoni që, bashkë me kompaninë e tij ligjore PILPG (Grupi Ligjor dhe i Politikës Ndërkombëtare Publike) dhe ekipin e juristëve ndërkombëtare, po punon mbi çështjen e mos respektimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe legjitimitetit ndëretnik të institucioneve të vendit. /tvklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share