Policia turke ka arrestuar 15 persona për lidhje të dyshuara me Shtetin Islamik, njoftoi sot agjencia shtetërore turke Anadolu.
Agjencia i referohet një deklarate të policisë së Stambollit, e cila thotë se ky grup personash u arrestua për planifikimin e sulmeve në konsullatat e Suedisë dhe Holandës në Stamboll, si dhe në kisha dhe sinagoga.
Policia shtoi se nuk mund të konfirmonte ndonjë “kërcënim specifik” ndaj lokacioneve të përmendura, raporton AP.
Sipas shërbimit të inteligjencës turke, grupi mund të ketë marrë udhëzime nga organizata e Shtetit Islamik të Provincës Khorasan, aktive në Azinë Jugore dhe Qendrore, e cila përfaqëson një nga degët e Shtetit Islamik.
Suedia dhe Holanda janë objektivi i kritikave të Turqisë dhe protestave të qytetarëve të saj pasi Kurani u dogj në mënyrë demonstrative në një protestë të fundit në Stokholm dhe ngjarje të ngjashme ndodhën në Hagë të Holandës.
Këtë javë, disa vende perëndimore vendosën të mbyllin përkohësisht konsullatat e tyre në Stamboll për shkak të kërcënimeve të sigurisë.