Sunak mposht rrebelimin brenda partisë përkohësisht, pritet miratimi në Dhomën e Lordëve
Kryeministri britanik Rishi Sunak ka arritur të kalojë projektligjin e tij kryesor të Ruandës përmes Dhomës së Komunave.
Projektligji, i cili synon të dërgojë azilkërkuesit në Ruandë, u miratua me shumice votash. Dhjetëra konservatorë menduan se projektligji kishte mangësi dhe shkelte të drejtat e njeriut dhe kishin kërcënuar se do të rebeloheshin, por në fund, vetëm 11 votuan kundër tij. Disa deputetë kishin deklaruar se do të ishin të gatshëm të abstenonin ose madje të votonin kundër të gjithë projektligjit nëse ai do të mbetej i pandryshuar.
“Ne kemi arritur tani, të zvogëlojmë numrin e njerëzve që erdhën këtu me mbi një të tretën, të largojmë mbi 20,000 njerëz nga ky vend në vendet e tyre të origjinës. Shumica e atyre që bëjnë këtë udhëtim të rrezikshëm shfrytëzohen nga bandat dhe shumë prej tyre humbasin jetën.”
Projektligji tani shkon në Dhomën e Lordëve ku pritet të përballet me kundërshtime të ashpra. Sunak argumenton se deportimi i disa azilkërkuesve në Ruandë do të jetë një pengesë për emigrantët që kërkojnë të shkojnë në Mbretërinë e Bashkuar duke kaluar Kanalin e La Manshit me varka të vogla, por laburistët e kanë etiketuar planin një mashtrim dhe me nje kosto shumë herë më të lartë.
Qeveria thotë se i ka paguar 240 milionë Paund Ruandës deri më tani dhe asnjë azilkërkues nuk është dërguar atje.
Gjatë dy ditëve të fundit, deputetët e djathtë të Partisë Konservatore janë përpjekur të ndryshojnë projektligjin, duke argumentuar se, plani i qeverisë për Ruandën mund të bllokohet nga gjykatat.
Sipas planit, emigrantët që mbërrijnë në Britani ilegalisht përballen me dërgimin në Ruandë për të trajtuar kërkesat e tyre për azil. Ndërsa shumica e emigrantëve thonë se po ikin nga luftërat në Lindjen e Mesme, Afrikë dhe Azinë Jugore, qeveria britanike i përshkruan shumë prej tyre si emigrantë me probleme ekonomike dhe jo si refugjatë të vërtetë.
Gjatë debatit të mëparshëm në parlament, Suella Braverman, e cila u shkarkua si ministre e Brendshme nga Sunak vitin e kaluar dhe është një mbështetëse e zëshme e planit të Ruandës, deklaroi se forcimi i ligjit ishte shansi i fundit për ta bërë atë siç duhet.
Në nëntor 2023, Gjykata e Lartë e Mbretërisë së Bashkuar vendosi njëzëri se skema e Ruandës ishte e paligjshme. Ajo në vendimin e saj u shpreh se refugjatët e vërtetë të dërguar atje do të rrezikoheshin të ktheheshin në vendet e tyre të origjinës. Kjo shkel Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) , e cila ndalon torturën dhe trajtimin çnjerëzor.
Klan News