Plani Franko – Gjerman: Në Bruksel takimi Kurti-Vuçiq

SHBA DHE BE PRESIN PROGRES NË BISEDIMET E SË HËNËS


Një takim i nivelit të lartë në Bruksel ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb  Aleksandër Vuçiq pritet të ndodh në orët e pasdites.

Takimi konsiderohet më i rëndësishmi që nga ardhja e qeverisë Kurti në pushtet pasi që në tavolinën e bisedimeve është propozimi i  BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ky propozim nuk do të negociohet.

Mbetet të shihet nëse të dyja palët do të pajtohen dhe do të nënshkruajnë këtë marrëveshje apo do të ketë formë tjetër të pajtueshmërisë për zbatimin e marrëveshjes.

Departamenti Amerikan i Shtetit, thotë se  propozimi i  BE së për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë paraqet mundësi për popujt e të dyja vendeve, për të rritur sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Këshilltari i Departamentit Amerikan të shtetit Derek Chollet para nisjes së tyre në Bruksel ka zhvilluar biseda telefonike me kryeministrit Kurti dhe presidentin serb. Ndërsa të dy kanë pranuar edhe letër të përbashkët nga presidenti francez, kancerali gjerman dhe kryeministrja italiane të cilët e kanë vlerësuar të rëndësishme nënshkrimin e këtij propozimi. Palët parimisht janë pajtuar me këtë propozim të BE-së e që nuk është marrëveshje finale.

 

Ndonëse nuk është bërë publik propozimi, kanë dalë disa versione të ndryshme në media por ajo që është pranuar edhe nga ndërmjetësit si dhe përfaqësuesit e dy shteteve është se në të nuk ka pikë të vecantë kur përmendet se obligohen shtetet të njohin njëra tjetrën. Gjitashtu një pikë tjetër është ajo e zbatimit të marrëveshjeve të kaluara, rrjedhimisht edhe e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Opozita në Kosovë vazhdimisht është duke instistuar që kryeministri të nënshkruaj marrëveshje me Serbinë e që përfshihet edhe njohja në qendër.

Përgatiti: Blerta Dalloshi Berisha

Lexo gjithashtu
Total
0
Share