Një grua mbeti e plagosur me armë zjarri pasditen e kësaj të enjteje në fshatin Garunjas të Lushnjes. Ajo është Bajame Senej, 60-vjeçe. Gruaja u dërgua në spitalin e Lushnjes dhe është jashtë rrezikut për jetën. Autoritetet policore kanë mundur të identifikojnë autorin e dyshuar të ngjarjes (me iniciale A.H) dhe aktualisht po punojnë për kapjen e tij. Vetë vëllai i autorit të dyshuar të ngjarjes, Laert Hasalla, ka treguar për gazetaren Anila Sefa në një bisedë telefonike nga Italia se vëllai i tij quhet Armando Hasalla dhe emrin e ka ndryshuar pasi më parë e ka pasur Emiljan. Sa i përket motiveve, dyshohet se shkak është bërë hakmarrja.
Gazetarja Anila Sefa raporton se plagosja e gruas dyshohet se vjen si pasojë e një sherri të nisur 2 vite më parë, mes dy fiseve Hasalla. E plagosura këtë të enjte është motra e Kastriot Hasallës (Lexo më shumë), i cili akuzohet për vrasjen e kushëririt të tij Romeo Hasalla më 29 Korrik të 2021-shit (Lexo më shumë).
“Bëhet fjalë për një sherr të fiseve Hasalla të nisur 2 vite me parë, për një tokë bujqësore prej 2 hektarësh. Ditën e sotme për këtë ngjarje, gjykata e Lushnjes dha dënimin me 35 vjet burg për Kastriotin”, tha gazetarja.
Sefa thotë se familjes Hasalla iu bë atentat, teksa po ktheheshin për në shtëpi me makina. Gazetarja ka siguruar edhe videon nga vendi ku u plagos Bajame Senej në Lushnje.
Siç raporton Sefa, kjo rrugë ndodhet pranë Kodrës së Pishave, aty ku njëri nga automjetet ka hasur në breshëri plumbash, e për pasojë një nga plumbat preku 60-vjeçaren në këmbë.
Vetë vëllai i të plagosurës Afrim Hasalla, në një prononcim për gazetaren tregoi gjithë dinamikën e ngjarjes.
Ai tha se motra, Bajame Senej, ishte në automjet me të birin. Ndësa vetë ai udhëtonte me një tjetër mjet, bashkë me avokatin. Palët ktheheshin nga gjyqi, kur iu bë pritë. Vetë Afrim Hasalla akuzoi se pas atentatit është familja e Shaip Hasallës, babai Romeo Hasalla, të vrarë nga Kastriot Hasalla 2 vjet më parë.
Afrim Hasalla tregon më tej se pasi dëgjuan të shtënat, zbritën nga automjeti dhe panë që 60-vjeçarja ishte plagosur në këmbë.
Por familja tjetër i mohon akuzat. Në një komunikim me gazetaren Anila Sefa, Laert Hasalla pretendon se vëllai, Armando, i cili më parë ka pasur emrin Emiljan, ndodhet në Greqi dhe ka shkuar atje para 19 ditësh.
Ai tha më tej për gazetaren Sefa se familja tjetër Hasalla e ka sajuar ngjarjen. Laerti shprehet se në seancën e sotme gjyqësore ka qenë vetëm babai i tij, Shaipi.
Laerti thotë më tej se nuk ka pasur konflikte të tjera me familjen tjetër Hasalla. Sa i përket vrasjes së vëllait, ai është shprehur se “ia la shtetit në dorë këtë punë”. (Lexo më shumë)
Kush është Kastriot Hasalla?
Kastriot Hasalla akuzohet për vrasjen e kushëririt të tij Romeo Hasalla, 30 vjeç, më 29 Korrik të 2021-shit. Ai u vetëdorëzua në polici dy ditë pas ngjarjes ku u plagosën edhe babai i Romeos, Shaipi dhe dy vëllezërit e tij, Laerti dhe Emiljano.
Në lidhje me këtë ngjarje u arrestuan fillimisht edhe vëllai e djali i Kastriotit, Afrimi dhe Marjo Hasalla.
Kur u vetëdorëzua, pranoi se ka qëlluar ndaj kushëririt të tij, Romeos. Por ai tha për Klan News asokohe, pak para se të shkonte në polici, se ngjarjen e ka kryer ai dhe kërkoi të liroheshin vëllai dhe djali pasi nuk kanë përgjegjësi.
Shkak për sherrin që përfundoi në tragjedi mes familjeve ka qenë një pronë me ullinj.
(Video e vitit 2021-Intervista e Kastriot Hasallës për ngjarjen e 29 Korrikut)