Një grua mbeti e plagosur me armë zjarri pasditen e kësaj të enjteje në fshatin Garunjas të Lushnjes. Ajo është Bajame Senej, 60-vjeçe. Gruaja u dërgua në spitalin e Lushnjes dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Deri më tani, si autori ashtu sikurse edhe rrethanat e kësaj ngjarjeje mbeten të paqarta. Në një informacion paraprak për ngjarjen policia tha se po punon për kapjen e autorëve.
Ndërkohë gazetarja Anila Sefa raporton se plagosja e gruas dyshohet se vjen si pasojë e një sherri të nisur 2 vite më parë, mes dy fiseve Hasalla. E plagosura këtë të enjte është motra e Kastriot Hasallës, i cili akuzohet për vrasjen e kushëririt të tij Romeo Hasall,a më 29 Korrik të 2021-shit.
“Bëhet fjalë për një sherr të fiseve Hasalla të nisur 2 vite me parë, për një tokë bujqësore prej 2 hektarësh. Ditën e sotme për këtë ngjarje, gjykata e Lushnjes dha dënimin me 35 vjet burg për Kastriotin”, tha gazetarja.
Sefa thotë familjes Hasalla iu bë atentat, teksa po ktheheshin për në shtëpi me makinë. Në automjet ndodhej e plagosura, Bajame Senej, vëllai i saj Afrim Hasalla, nipi dhe avokati. Pasi kanë dëgjuar të shtënat, ata kanë zbritur nga automjeti dhe kanë parë që gruaja ishte plagosur në këmbë.
“Rreth orës 17:20, në fshatin Ballagat, Lushnje, në rrethana ende të paqarta është plagosur me armë zjarri shtetasja B. S., 60 vjeçe, banuese në Ballagat, Lushnje, e cila ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, janë ngritur pika kontrolli në të gjitha hyrje-daljet e qytetit të Lushnjes dhe vijon krehja e zonës me qëllim kapjen e autorëve. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën intensive për zbardhjen e plotë të ngjarjes”, tha policia e Lushnjes në një informacion paraprak për mediat.
Ngjarja e rëndë vjen vetëm pak orë pas asaj në Kavajë ku mbetën të vrarë 2 persona. Armand Gosa dhe Sali Rexha, të dy 43 vjeç, vranë njëri-tjetrin pas një konflikti pas së cilit dyshohet se qëndronin motivet banale (Lexo më shumë)./tvklan.al