“Pjesërisht i veshur në shtrat” dhe këndonte rep në videot e Tik Tok-ut, letër ankese për gjykatësin

Një gjykatës i Nju Xhersit ka përdorur një pseudonim për të postuar video në Tik Tok ku lëviz buzët ndërsa në sfond dëgjohen këngë rep ose pop, me tekste kontroversiale.

Gary Wilcox, i cili shërben në Gjykatën Supreme, në disa video shfaqet në gjykatë dhe mban veshur pelerinën, shkruhet në ankesën e Komitetit i Këshillimit të Sjelljes Gjyqësore.

58-vjeçari postoi 40 video nën pseudonimin “Sal Tortorella” dhe shumë prej tyre i referoheshin dhunës, seksit, mizogjinisë dhe në njërën prej tyre “gjykatësi ishte pjesërisht i veshur dhe i shtrirë në shtrat”, shkruan ankesa.

Aty përshkruhet gjithashtu se gjykatësi i veshur me një bluzë me personazhet Beavis dhe Butt-Head, ecte nëpër gjykatë i shoqëruar nga kënga “Get Down” e reperit Nas.

Kënga ka tekst të papërshtatshëm, i referohet bandave dhe drogës si dhe një doktori që vrau një anëtar bandash.

Veç kësaj, ankesa përmend edhe një video ku Wilcox këndonte një këngë që flet për derdhjen e konjakut në një kostum 200 Dollarësh. Sipas letrës, postimet cenojnë besimin e publikut në sistemin gjyqësor si dhe shkel rregullat juridike.

Avokati i Wilcox është shprehur se po përgatitet një përgjigje kundër ankesës. “Nuk mendoj se në fund të ditës dikush donte të bënte dëm”, thotë ai.

Videot janë postuar gjatë periudhës 11 Prill 2021 deri më 4 Mars 2022. Wilcox ka 20 ditë në dispozicion për të dërguar një përgjigje formale, edhe pse afati mund të zgjatet.

Më pas, Komiteti i Këshillimit do të caktojë një seancë dëgjimore. Pasojat për gjykatësin janë disiplinë individuale ose publike si paralajmërim, censurë, pezullim e deri në largim nga detyra./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share