MILANOVIQ: KY PROPOZIM ËSHTË POLITIKISHT I PAPRANUESHËM
Propozimi i presidentit francez Emanuel Makron që, Bashkimi Evropian fillimisht të reformohet para se të pranojë anëtare të reja, përkatësisht që pranimi i anëtarëve të reja të zhvillohet me disa shpejtësi është i papranueshëm për pjesëmarrësit në takimin e liderëve të samitit Brdo – Brijon. Presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq tha se një gjë e tillë nuk është e mundur, pasi nuk do të mund të zbatohej në aspekt politik.
“Nuk e di se si mund të funksionojë ajo. Ajo është politikisht e pazbatueshme, nëse ai është propozimi formal i Makronit. Unë nuk jam shumë i sigurte se ekziston një propozim i tillë, por edhe po të ekzistonte dhe i kujtdo qoftë të jetë, nuk mund të funksionojë në atë mënyrë. Kryetari i Komisionit Evropian nuk mund të jetë mbret, përfaqësuesi i politikës së jashtme nuk është figurë komprometuese, por është bartës i funksioni me kompetenca të kufizuara në atë fushë” – tha Millanoviç.
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski tha se, nuk arsye për të shqetësuar sa i përket këtij propozimi, pasi nuk është propozim formal, ndërsa edhe po të ishte sipas tij, nuk do të pranohej.
”Në Bashkimin Evropian me vite të tëra, por edhe dekada ka dy apo tre shpejtës. Jo të gjitha vendet janë pjesë e eurozonës, jo të gjitha vendet janë pjesë e shengenit. Ky nuk është një propozim formal i Makronit, nëse do të ishte propozim formal dhe do t’u dorëzohej institucioneve të BE-së, nga ajo që e di dhe kam informata, është e sigurt se nuk do të pranohej. Nuk ka arsye për shqetësim” – tha Pendarovski.
Ndërkaq, presidentja e Sllovenisë, NAtasha Pirc Musar, duke folur për rrjedhën e takimit të sotëm të samitit Brdo – Brion, tha se për dallim prej viteve tjera ku janë sjellë vetëm konkludime dhe janë nënshkruar vetëm deklarata, këtë vit janë dakorduar që të ndërmerren edhe aksione konkrete. Sa i përket procesit eurointegrues, ajo tha se vendi i saj, mbështet plotësisht shtetet e Ballkanit Perëndimor në këtë rrugëtim.
“Vëmendje më të madhe i kushtuam Bashkimit Evropian. Sllovenia i mbështet të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në procesin e afrimit. Në fund u pajtuam që, ka shumë probleme në këtë rrugë, kemi pasur edhe ne, nuk ka rrugë të lehtë por konkluduam se, jo një Evropë më e vogël, por një më e madhe, më shumë Evropë në këtë rajon” – tha Natasha Pirc.
Në fokus të takimit të sivjetshëm të liderëve të vendeve pjesëmarrëse në Procesin Bërdo-Brioni në Shkup ishin integrimi evropian, ndryshimet klimatike dhe emigracioni i të rinjve. Në të morën pjesë gjashtë krerët e shteteve të Ballkanit Perëndimor si dhe krerët shtetëror të Sllovenisë dhe Kroacisë, si bashkënikoqir të kësaj ngjarjeje. /KlanMacedonia/