Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius tha sot se ka pasur një bisedë të shkurtër, të hapur dhe të sinqertë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ai në konferencën e përbashkët për shtyp me Vuçiqin tha se Gjermania po armatos jo vetëm Kosovën, por edhe Serbinë dhe shtetet tjera si kontribut i saj në stabilizimin e rajonit dhe për të forcuar kapacitetet mbrojtëse të secilit shtet.
I pyetur se në bazë të cilit akt juridik ndërkombëtar Gjermania po armatos Kosovën, Pistorius tha se “Gjermania furnizon vetëm armë mbrojtëse dhe jo sulmuese”.
Ai ka theksuar se nga perspektiva e Gjermanisë, është duke folur për shtetin sovran të Kosovës.
“Ne e kemi njohur Kosovën, shtetet tjera nuk e kanë bërë, bëhet fjalë për një numër më të vogël shtetesh në botë, është vendim i secilit shtet, por pavarësisht nga çështja e njohjes së një vendi, kërkesë e këtij rajoni duhet të jetë, kur kemi parasysh qëllimin tonë, stabiliteti në rajon si parakusht për afrimin e përbashkët me Bashkimin Evropian, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë nga të dyja palët janë të rëndësishme. Është një parakusht themelor për stabilitet dhe asgjë nuk do ta ndryshojë këtë fakt”, tha Pistorius.
Ministri gjerman theksoi se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën duhet të vazhdojë dhe shtoi se Serbia dhe Kosova duhet të zbatojnë marrëveshjet e dakorduara, si dhe se është i nevojshëm një hetim i plotë për ngjarjet e 24 shtatorit në Banjskë.