Detaje të reja janë zbardhur për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Maliq, ku babai vrau të birin.
Gazetarja e Klan News, Daniela Zisi raporton se viktima Hamdi Bylykbashi ishte djali i vetëm i familjes, me 5 motra. 50-vjeçari ishte i martuar dhe divorcuar disa herë dhe ka dy vajza të cilat jetojnë në Francë.
Burime nga policia bëjnë me dije se 77-vjeçari Shefki Bylykbashi në gjendje të rënduar psikologjike, ka pranuar vrasjen e të birit. Ai ka deklaruar para policisë, se nuk ka patur konflikt për asnjë arsye me të birin, por fakti që 50-vjeçari vinte në gjendje të dehur çdo ditë në shtëpi, ka bërë që të konfliktoheshin ditën e djeshme.
“Më bezdiste shumë kohët e fundit, ai më parë nuk pinte kështu, por filloi të pinte çdo ditë. Nuk duroja dot më këtë sjellje. Nuk doja ta bëja këtë veprim, nuk doja ta vrisja, por nuk po më mbante më durimi, ma solli në atë pikë që nuk duroja dot më.”
Këto kanë qenë fjalët që ka thënë autori i vrasjes në polici.
Sipas Kryeplakut të fshatit Adriatik Lilo, viktima kishte probleme me alkoolin, ndërsa i ati i tij ishte i sëmurë me sklerozë.
“Dje më lajmëruan për ngjarjen që kishte ndodhur. Thanë që ishte rrëzuar, erdhi ambulanca, nëna iku bashkë me ambulancën më pas na lajmëruan që kishte ndërruar jetë në spital. Viktima kishte probleme me alkoolin, ishte i divorcuar, edhe babai kishte sklerozë”, është shprehur Lilo.
Mësohet se ngjarja e rëndë ka ndodhur në oborrin e shtëpisë dhe familjarët janë përpjekur të fshehin rrethanat, për ta raportuar në polici si një rast aksidental. Por pas hetimeve të thelluara rezultoi se ai ishte vrarë. Viktima ka qenë në gjendje të dehur dhe është konfliktuar në shtëpi me babain.
Pas sherrit, ka dashur ta hedhë të atin në pusin e ujit në oborr. Për pasojë 77-vjeçari e ka goditur disa herë në kokë me një çekiç që e përdorte për të thyer gurë. Për shkak të dëmtimeve, 50-vjeçari ka humbur jetën gjatë transportimit në spitalin e Korçës./tvklan.al