Pas fitores së bujshme së 16-vjeçarit Luke Littler në gjysmëfinalen e Botërorit të pikados, atij iu bashkua në finale edhe Luke Humphries, i cili shënoi një fitore perfekte 6:0 në sete ndaj Scott Williamsit.
Kampionati Botëror i Pikados i këtij viti do të mbahet mend si një nga më të sensacionalët ndonjëherë. Shkak për këtë është bërë 16-vjeçari Littler, i cili preku finalen edhe pse në renditjen botërore është i 164-ti dhe është bërë lojtari më i ri ndonjëherë që ka shkuar në fazën e fundit të një Botërori.
Littler sonte do të luajë kundër Luke Humphriesit për titullin e kampionit të botës, që vlen 550 mijë euro.
Humphries, pas kualifikimit në finale, është bërë numër një në renditjen e lojtarëve më të mirë të pikados.
Është interesante se Humphriesi dhe Littleri kanë luajtur katër vjet më parë në një kafene kundër njëri-tjetrit dhe sonte në ndeshjen më të madhe të karrierës së tyre do të luftojnë për titullin e kampionit të botës. Fotoja nga kafeneja e katër vjetëve më parë u bë menjëherë virale në rrjetet sociale. Asokohe, Littler ishte veç 12 vjeç.
Ndeshja për kampionin e botës në pikado luhet sonte [e mërkurë] nga ora 21:15. Fitues shpallet ai që fiton shtatë sete i pari.