Ish-Ministrja e Mbrojtjes, aktualisht deputete e LSDM-së, Slavjanka Petrovska, gjatë intervistës për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se Qeveria nuk ka kapacitete për të bashkuar Agjencinë për Siguri Kombëtare dhe Agjencinë për Kundërzbulim.
Pret se do të miratohet ligji që të ndryshohet drejtori i tashëm i ASK-së, emërimi i të cilit shkaktoi skandale. Lidhur me zhvillimet në sektorin e sigurisë, vlerëson se janë të këqija për një vend anëtar të NATO-s.
“Druaj se me presion të këtij skandali që lidhet me drejtorin e ASK-së, ata do të përpiqen që ta bëjnë sa më shpejtë të jetë e mundur dhe nuk do të befasohesha nëse në periudhën e ardhshme deri në fundvit, ky ligj të dorëzohet në Kuvend dhe mendoj se kjo do të jetë një mënyrë “elegante” se si ta heqin këtë drejtor dhe të emërojnë një të ri në shërbimin e përbashkët të intelegjencës” – tha Petrovska.
Petrovska është prononcuar edhe për zhvillimet e brendshme në LSDM. Sipas saj, mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen në parti e jo përmes rrjeteve sociale.
Petrovska ka mohuar se ka ambicje për t`u bërë pjesë e udhëheqësisë së socialdemokratëve.
“LSDM-ja ka obligim serioz, jo vetëm që ta përfundojë zgjedhjen e kryesisë por të zbatojë procese të brendshme që ndoshta nuk do të jenë të karakterit kadrovik, por do të jenë, do të thoja, ideologjikisht të ndërlidhur se si do të veprojmë në të ardhmen. Unë gëzohem që së shpejti do të mbahet Kongresi. Do të jetë zgjedhor dhe praktikisht partia do të ketë trupa që do të kenë legjitimitet të plotë” – tha Petrovska.
Më 24 Nëntor do të mbahet Kongresi i 30-të i LSDM-së, ku do të zgjidhet Kryesia e re Qendrore dhe do të bisedohet për politikat e ardhshme të partisë.
Konform vendimit të Këshillit Qendror, në Kongresin e 30-të do të propozohen ndryshime në Statutin e LSDM-së me emërimin edhe të një sekretari organizativ dhe me saktësimin e parimeve të barazisë gjinore për zgjedhjen e Zv/Kryetarit të LSDM-së. /tvklan.mk/