Ish ministrja e Mbrojtjes dhe deputete aktuale nga radhët e Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, Sllavjanka Petrovska, sot e dorëzoi kandidaturën për kryetare të partisë.
“Sot pas 24 viteve pjesëmarrje aktive në LSDM, në bazë të thirrjes për vetëkandidim, e pata atë nder ta dorëzoj kandidaturën për kryetare të LSDM-së. Së bashku me kandidaturën e dorëzova edhe manifestin me socialdemokratët. Ky është programi im, në të cilin kthehem në atë që duhet të jenë prioritetet e ardhshme të udhëheqsisë së re të LSDM-së, pas humbjes së madhe që e përjetuam në këto zgjedhje”, tha Petrovska.
Ajo thotë se LSDM në të kaluarën ka përjetuar humbje, por edhe fitore, dhe siç tha, këtë herë situata është specifike duke i marrë parasysh rrethanat politike në vend. Në pyetjen e gazetares së MIA-s, lidhur me strategjitë për bashkim të anëtarsisë, Petrovska thotë se nëse zgjidhet kryetare e LSDM-së do të inicojë debate të shpeshta brenda partisë, për të cilat tha, zyrtarët e deritanishëm të partisë i kanë lënë në plan të dytë.
Ajo thotë se ka marrë mbështetje nga disa ish zyrtarë të partisë, por siç tha, nuk do t’i keqpërdorte emrat e tyre.