Diplomati Wolfgang Petritsch ka thënë se dialogu i brendshëm me serbët në Kosovë, është çelës për një zgjidhje të qëndrueshme me Serbinë.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Petritsch ka thënë se nuk pret rezultat substancial në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë më 2024, për shkak të zgjedhjeve që do të mbahen në Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.
Në këtë drejtim, diplomati austriak shpreson që administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, të vazhdojë udhëheqësinë, sepse beson që ekipi i tij është i angazhuar për zgjidhje të drejtë.
Ndër tjerash, Petritsch ka thënë se incidenti i këtij viti në Banjskë të Kosovës duhet të shërbejë si mësim për rritje të vigjilencës në fushën e sigurisë, e cila do të ketë prioritet në vitin që vjen.
Ai ka bërë thirrje për përparim në procesin e dialogut, me arsyetimin se çdo zvarritje e procesit rrezikon përkeqësim të situatës.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Petritsch, liderët e Kosovës kanë thënë se ky vit ka qenë më sfiduesi në aspektin e sigurisë, qysh prej pavarësisë, duke marrë shkak sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë. Si do ta përshkruanit ju?
Wolfgang Petritsch: Kjo ka qenë, padyshim, një pikë e ulët në marrëdhëniet në mes të Beogradit dhe Prishtinës. Dhe, nuk po flas vetëm për dialogun, për të cilin, fatkeqësisht, viti 2023 nuk ka qenë më i suksesshmi. Mendoj që incidenti në Banjskë do ta fokusojë vëmendjen në sigurinë dhe aspektin ushtarak në vitin e ardhshëm, kur është fjala për marrëdhëniet ndërmjet të dyja palëve.
Radio Evropa e Lirë: Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e thekson shpesh rrezikun e, siç thotë ajo, “sulmit të Serbisë ndaj Kosovës”, duke e përmendur si referencë incidentin në Banjskë. A ekziston një rrezik i tillë?
Wolfgang Petritsch: Ne jemi të lehtësuar që situata nuk është përshkallëzuar, ndonëse ka pasur potencial. Mirëpo, kjo na tregon se ekziston rrezik i madh që bisedimet e gjata dhe të vazhdueshme ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të cilat lehtësohen nga Bashkimi Evropian, të mos vazhdojnë më, ose të mos e kenë rëndësinë që e kanë pasur në të kaluarën. Në këtë aspekt, viti 2023 ka qenë njëmend vendimtar. Unë besoj që nëse nuk shfrytëzohet viti 2024, për ta nxitur BE-në dhe Beogradin e Prishtinën, që të mendojnë seriozisht për një qasje të re, atëherë nuk jam i sigurt nëse në vitin 2025 – pasi të kenë përfunduar zgjedhjet e vitit të ardhshëm – të ketë përparim substancial.
Më pas, më 2025, kur të kemi Komisionin e ri në Bruksel dhe kur të kemi administratën e re në Uashington – shpresoj që do të ketë vazhdimësi të administratës [së presidentit Joe] Biden – atëherë do të jetë momenti i ri për të rinisur dialogun.
Por, e gjithë kjo duhet të bazohet në përvojën e dhjetë, apo më shumë vjetëve të fundit, dhe të merren parasysh masat që janë marrë në incidentet e kaluara, duhet rishikim i metodologjisë së procesit të ndërmjetësimit. Besoj se nuk mund ta shohim dialogun të izoluar prej negociatave për anëtarësim, sidomos bisedimet e Serbisë për anëtarësim në BE.
Mendoj se duhet bërë më shumë për Kosovën dhe popullatën e saj, për ta parë më afër anëtarësimin në Bashkimin Evropian, që natyrisht do të marrë vite, mirëpo duhet kombinuar procesin e anëtarësimit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor me dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës. Kjo besoj që duhet të bëhet më e qartë.
Për t’i motivuar negociatat në të dyja palët, qeveritë e të dyjave duhet të trajtojnë më me seriozitet procesin, dhe të mos zhyten nëpër konflikte, që nuk janë as në interes të Serbisë dhe as të Kosovës. Ne duhet të mendojmë më gjerësisht. Besoj se problemi qëndron në faktin që situata globale ka ndryshuar në mënyrë dramatike, dhe papritmas ka më pak vëmendje në konfliktet e vogla dhe të vazhdueshme, sikurse ato mes Kosovës dhe Serbisë. Po u referohem konflikteve të mëdha sikurse lufta e Rusisë në Ukrainë, lufta mes Izraelit dhe Hamasit në Lindje të Mesme. Këto janë pika të mëdha konflikti të vitit 2024./REL