Ministria e Punëve të Jashtme ia ka refuzuar vizitën në Kosovë drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
Lajmin për Klankosova.tv e ka konfirmuar Leutrim Sahiti, këshilltari politik i ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.
“Në lidhje me pyetjet tuaja ju informojmë që personit në fjalë i është refuzuar vizita në Kosovë”, tha Sahiti, njofton Klankosova.tv.
Ai nuk dha detaje për arsyen e refuzimit të vizitës së Petkoviqit në Kosovë.
Zyra për Kosovën në Qeverinë Serbe ka njoftuar se shefit të saj, Kosova ia ka refuzuar kërkesën për vizitë me rastin e festës së Pashkëve këtë fundjavë.
Sipas njoftimit, gjatë fundjavës Petkoviqi kishte planifikuar të merrte pjesë në liturgjinë e mesnatës në Manastirin e Deçanit, në shërbesën e mëngjesit në Manastirin e Graçanicës e më pas do të vizitonte edhe Manastirin e Draganacit në Novobërdë. /Klankosova.tv