Vendimi i përfaqësuesve të Listës Serbe për t’u betuar në Kuvendin e Kosovës, sipas kreut të zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, “nuk nënkupton në asnjë mënyrë kthimin e Listës Serbe” në institucionet e Kosovës, por “pengim të planit të Kurtit për plotësimin e ulëseve të tyre me serbët që mbështesin Prishtinën, jo Beogradin”.
Ai shtoi se verifikimi i mandateve u bë për shkak të “informacioneve të reja” se kryeministri Albin Kurti “po përgatit një plan djallëzor të hakmarrjes ndaj popullit serb” në Kosovë.
“Fjala është për listat e Rashiqit, Petkoviqit dhe Rada Trajkoviqit, parti politike absolutisht të vogla, që pothuajse nuk ekzistojnë në Kosovë dhe Metohi, për të cilat në zgjedhjet e fundit diku ndërmjet 0.17 dhe 0.05 për qind e popullit serb në Kosovë dhe Metohi i votoi. Fjala është për përfaqësues të partive politike që janë në nivel të gabimit statistikor”, tha Petkoviqi para gazetarëve, transmeton Klankosova.tv.
Sipas tij, përfaqësuesit e Listës Serbe kanë verifikuar mandatet dhe janë larguar menjëherë nga Kuvendi për t’i mbajtur ato vende në parlament dhe që “Kurti të mos mund të fillojë të ashtuquajturin ndryshim të Kushtetutës së Kosovës”, e cila i garanton disa të drejta popullit serb në Kosovë.
“Nëse do të realizohej skenari që njerëzit e Rashiqit, Rada Trajkoviqit, njerëzit e Slavisha Petkoviqit, të cilët nuk kanë legjitimitet dhe për të cilët pothuajse askush nuk ka votuar në KeM, do të uleshin në ato ulëse parlamentare, do të ndodhte që Kurti të fillonte menjëherë ndryshimin e Kushtetutës dhe nenit 144, i cili do ta hiqte atë që është arma më e fortë që ka Lista Serbe dhe përfaqësuesit e popullit serb në Kosovë”, deklaroi Petkoviqi.
Ai thotë gjithashtu se Kurti, “në rast të realizimit të planit të tij, do të nisë procesin e heqjes së të drejtave të serbëve përmes miratimit të ligjit për interesa jetike përmes shfuqizimit të komunave serbe dhe gjuhës serbe”.
“Ai do të hiqte çelësin e votimit sipas rregullit të shumicës së dyfishtë, do të mund të formonte edhe ushtrinë e Kosovës dhe nuk do të kishte më asnjë pengesë për të filluar formimin e Shqipërisë së madhe”, theksoi Petkoviqi.
Shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë serbe tha po ashtu se me ndryshimin e ligjeve jetike për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, “Kurti, trashëgiminë kulturore serbe do ta quante të Kosovës dhe do të vinte në pikëpyetje mbijetesën dhe pozitën e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë”.
Ai ka theksuar se serbët nuk do të kthehen në institucionet e Kosovës derisa të tërhiqet vendimi i qeverisë së Kosovës për riregjistrim të automjeteve dhe të formohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe. /Klankosova.tv