Tema e Maqedonisë së Veriut përdoret për të tërhequr vëmendjen. Kështu deklaroi kryeministri i Bullgarisë, Kiril Petkov pas seancës së sotme të qeverisë.
“Lufta kundër mafies vazhdon. Mos bini në grackën e përpjekjes për të shpërqendruar publikun”, tha ai.
Sipas tij, lajmi i sotëm është raporti i komisionit ndërministror mes ministrive të Financave dhe Zhvillimit Rajonal, i cili konstatoi parregullsi prej rreth 2.5 miliardë leva (1.25 miliardë euro) në fushën e ndërtimit.
“Një hendek prej gjashtë metrash i kushton taksapaguesve një milion leva (500,000 euro)”, tha Petkov për disa nga gjetjet e raportit.
Petkov konfirmoi se Qeveria ka miratuar një vendim me të cilin parashihet që të gjitha propozimet e kryesisë franceze të Këshillit të Bashkimit Evropian apo ndonjë shteti anëtar për Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe fillimi i negociatave për anëtarësimin e saj në BE të shqyrtohen në Komisionin parlamentar për Punët e Jashtme.
“Tash e tutje asnjë politikan nuk mund të thotë se qeveria mund të veprojë në mënyrë të njëanshme. Vendimi i takon Kuvendit”, komentoi Petkov.