Pesëshja diplomatike në Kosovë, takohen me kryeministrin Kurti

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, i ka pritur në takim përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Mirsolav Lajçak, zëvendës ndihmës sekretarin e ShBA-së, Gabriel Escobar, bashkë me këshilltarët e liderëve të Gjermanisë, Francës dhe Italisë.

Pesëshja diplomatike vjen në Kosovë gati një muaj pas agresionit të Serbisë në Kosovë, teksa kryeministri i vendit, Albin Kurti, dje deklaroi se për kërkesat dhe ofertat e tyre do të merret vesh të shtunën.

Pas vizitës që pesë emisarët do ta kenë në Kosovë, ata pritet që menjëherë ta vizitojnë edhe shtetin e Serbisë.

Burimet diplomatike në Bruksel, kanë thënë se me këtë vizitë synohet të dërgohet mesazh se ekziston unitet mes Shteteve të Bashkuara dhe BE-së, që të punohet në zbatim të Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, të arritur në shkurt të këtij viti në Bruksel.

Një muaj më vonë, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, është arritur pajtueshmëri për aneksin e zbatimit të saj.

Në një samit të mbajtur më 20 tetor mes SHBA-së dhe BE-së në Uashington, palët kanë bërë thirrje për zbatim të “shpejtë dhe pa kushte” të Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, dhe që dy vendet t’i kthehen dialogut.

“Nënvizojmë nevojën që Kosova dhe Serbia, urgjentisht t’i ulin tensionet dhe shpejt, e pa kushte ta zbatojnë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes tyre dhe të kthehen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja“, është thënë mes tjerash në deklaratën e miratuar.

Por, pas zhvillimeve në Banjskë të Zveçanit, autoritetet e Kosovës kanë thënë se gjërat më nuk mund të jenë njësoj sa i përket rrjedhës së dialogut.

Më 24 shtator, në Banjskë është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku, si pasojë e sulmeve nga një grup terrorist.

Në shkëmbim e sipër të zjarrit, mes policisë dhe atij grupi, janë vrarë edhe tre terroristë.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili më pas ka hequr dorë nga të gjitha funksionet e partisë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Kosova është në kërkim të ekstradimit të Radoiçiqit nga Serbia.

Kosova e fajëson Serbinë për sulmin e 24 shtatorit, por ajo i hedh poshtë të gjitha pretendimet.

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share