Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut e përshëndet vendimin e Komisionit Evropian me të cilin Shkupi mori titullin “Kryeqendër evropiane e kulturës për vitin 2028”. Përzgjedhja e Shkupit si kryeqendër e kulturës në Evropë për vitin 2028 është sukses për kulturën maqedonase dhe mirënjohje për kontributin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut në përpjekjet për t’u kujdesur për pasurinë kulturore dhe vlerat evropiane.
Në konkurrencë me Budvën, Mali i Zi, titulli Kryeqendër evropiane e kulturës për vitin 2028 i takoi Shkupit, i cili fillon përgatitjet për vitin në të cilin kultura maqedonase dhe ajo evropiane do të festohet në kryeqytetin tonë.
Ekspertët evropianë e vlerësuan përkushtimin e sinqertë të institucioneve kompetente, për të cilat Ministria e Kulturës bëri përpjekje serioze dhe mundësoi mbarëvajtjen e procesit dhe aplikimin për këtë titull prestigjioz por edhe të përgjegjshëm, me qëllim mbrojtjen dhe promovimin e vlerave të kulturës nacionale dhe evropiane. Institucionet bashkërisht janë të gatshme t’i përgjigjen sfidës dhe bashkërisht nën flamurin evropian dhe maqedonas të ngrenë energjinë kreative si të qytetarëve ashtu edhe të shtetit dhe t’i hapin dyert kulturës maqedonase dhe evropiane.
“Të gjithë shkupjanët dhe të gjithë qytetarët e RMV-së, pavarësisht përcaktimit të tyre etnik, fetar, gjinor, social, kulturor dhe çfarëdo përcaktimi tjetër, janë të bashkuar në kënaqësinë që qyteti i tyre, Shkupi ynë, do t’i hapë portat e veta dhe do ta bashkojë kulturën e vet me kulturën e Evropës. Nga qendra e Evropës, direkt në zemër të Ballkanit”, tha ministrja e Kulturës, Kostadinovska-Stojçevska, pas shpalljes së vendimit.
Qeveria, përmes Ministrisë së Kulturës, u detyurua për mbështetje të parezervë për realizimin e këtij projekti, në të cilin investohet me vite dhe pas përfundimit të vitit të manifestimit, që në fakt ishte një aspekt kyç që siguroi që Shkupi të jetë Kryeqendër evropiane e kulturës për vitin 2028.
Duke bërë thirrje për mobilizim kreativ, ministrja e Kulturës, Kostadinovska-Stojçevska njoftoi se të gjitha institucionet nacionale dhe institucionet e kulturës do të jenë në shërbim të “Shkupit 2028”, duke shtuar se ky është investimi ynë i përbashkët në një vit të paharrueshëm, një vit në të cilin Shkupi do të jetë kryeqendër evropiane e denjë dhe mbresëlënëse e kulturës.
Ministrja e Kulturës, Kostadinovska-Stojçevska, vlerësoi se titullin e sheh si përfitim të përbashkët, përmes të cilit e pasurojmë koloritin e hartës identitare të Evropës me vlerat tona kulturore nacionale dhe krijojmë një hapësirë të përbashkët kulturore në të cilën të gjithë janë të mirëpritur.
Për përgatitje të suksesshme për vitin kur kultura evropiane dhe vendase do të kryqëzohen në Shkup, ministrja Kostadinovska-Stojçevska theksoi se janë të dobishme të gjitha angazhimet dhe rezultatet që ne si shtet dhe kulturë i arrijmë përmes bashkëpunimit rajonal dhe përmes nismave dhe programeve të ndryshme.