Përurohet në Francë fabrika e parë e prodhimit të baterive

Fabrikat do të krijojnë mijëra vende të reja pune, synohet shkëputja nga varësia kineze

Është përuruar në Francë fabrika e parë e prodhimit të baterive për makinat elektrike, një sektor tradicionalisht i dominuar nga Kina.

Projekti i Automotive Cells Company, një sipërmarrje e përbashkët mes Stellantis , Mercedes dhe TotalEnergies , synon një investim total prej 2 miliardë eurosh, gjysma e të cilave do të financohen nga shteti francez dhe autoritetet lokale.

I pranishëm në përurimin e fabrikës ishte ministri francez i ekonomisë Brune le Mair i cili theksoi se kompanitë evropiane po planifikojnë të ndërtojnë fabrika të tjera në veri të vendit.

“Është një ditë e mrekullueshme për industritë në Francë por edhe ato në Evropë. Këtu në veri, në rajonin Hauts-de- France , do të ketë katër fabrika të prodhimit të baterive elektrike, dhe kjo do të thotë 10,000 vende të reja pune. Nuk mund ta fsheh që jam i prekur dhe i impresionuar që jam pjesë e këtij inaugurimi.”

Evropa varet kryesisht nga bateritë e prodhuara në Azi për makinat elektrike. Aktualisht , disa qeveri evopiane po ofrojnë stimuj të ndryshëm për të nxitur industrinë në mënyrë që të shkëputen nga varësia e Kinës. Kina është lider botëror në prodhimin e baterive të makinave elektrike dhe gjithashtu dominon prodhimin e lëndëve të para të nevojshme për t’i prodhuar ato.

Vetë presidenti francez Emmanuel Macron ka lobuar personalisht për të siguruar të paktën një fabrikë të tillë në rajonin e Dunkirk. Evropa është në garë me kohën për të rritur prodhimin e baterive dhe automjeteve elektrike, pasi Bashkimi Evropian ka vendosur një afat kohor deri në 2035 për të ndaluar shitjen e makinave të reja me benzinë dhe naftë.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share