Përshkallëzohen trazirat në Francë

667 persona janë vënë në prangat e policisë, Macron kërkon të vendoset rendi dhe qetësia

Qytetet e mëdha franceze sërish u përfshinë nga trazirat. Rreth 667 persona janë arrestuar ndërsa përleshjet mes policisë dhe protestuesve në Francë vijuan edhe në natën e tretë.

Policia hodhi gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën e cila nga ana tjetër gjuante me gurë dhe sende të forta forcat e sigurisë. Fishekzjarrë dhe predha u hodhën në drejtim të policisë, ndërsa demostruesit i vunë flakën kazanëve të mbeturinave, disa depove si dhe autobusëve.

Në Paris, dyqanet u plaçkiten dhe makinat u dogjën, pavarësisht nga prania e madhe e policisë. 40,000 oficerë u vendosën në të gjithë Francën.

Në Marsejë dhe Nanterre ku u vra nga policia adoleshenti 17-vjecar, dyqanet dhe kafenetë u shkatërruan. Në Lille ndërtesat publike, dyqanet dhe automjetet u dëmtuan rëndë.

Protestuesit brohorisnin “Hakmarrja për Nahelin”, ndërsa në disa institucione ata shkruajtën: “Policia vret”.

Avokati i policit që qëlloi 17-vjeçarin Nahel tha se oficeri i ka kërkuar falje familjes, ndërsa mbi të rëndojnë akuzat për vrasje me dashje.

Presidenti Emmanuel Macron e quajti më herët vrasjen e Nahelit “të pafalshme”, por u shpreh se dhuna dhe trazirat në shumë qytete franceze janë të pajustifikueshme.

Grupet e të drejtave pretendojnë racizëm sistemik brenda agjencive të zbatimit të ligjit, një akuzë që Macron e ka mohuar më parë.

Nahel.M vinte nga një familje franko-algjeriane. Policia pretendoi se i riu tentoi t’i përplaste efektivët me makinën e tij, por një video e bërë publike tregon që njëri prej policëve e qëllon pasi ai nuk i bindet.

Vitin e kaluar, 13 persona u vranë pasi refuzuan të ndalonin për kontrolle nga policia. Një ndryshim i ligjit në vitin 2017  u dha oficerëve më shumë kompetenca për të përdorur armët e tyre, ndaj atyre që nuk u binden ligjeve.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share