Një përplasje mes serbëve ka ndodhur sot në protestën që u zhvillua në Mitrovicën Veriore.
Në pamjet e siguruara nga gazetari i Klan Kosovës, Haris Ademi, shihet se turma shtyhet me njëri-tjetrin dhe në mesin e tyre është edhe Goran Rakiq, kryetari i Listës Serbë, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.
Situata në Mitrovicë të Veriut u tensionua gjatë ditës së sotme pas arrestimit të Milun Milenkoviq- Llune, i cili po konsiderohet si një prej organizatorëve të sulmeve ndaj KFOR-it dhe policisë në Zveçan.
Pas këtij arrestimi, qytetarë serbë u grumbulluan pranë shkollës teknike në Mitrovicë të Veriut, ndërsa policia e Kosovës e bllokoi rrugën që çon te Lagjja e Boshnjakëve, transmeton Klankosova.tv.
Protestuesit nga atje shprehën pakënaqësinë e tyre për Listën Serbe dhe brohoritën kundër presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. I arrestuari Milun Milenkoviq i njohur me nofkën “Llune” është njëri nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe prijësi i bandave kriminale, shkruan Kossev.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i cili e bëri të ditur lajmin për arrestim e tij, njoftoi se gjatë arrestimit të Milenkoviqit janë lënduar lehtë tre zyrtarë policorë.