Përplasje e rrallë publike mes Netanjahu dhe Biden

Shkak për këtë përplasje është bërë kriza politike në Izrael

Kriza në Izrael po teston marrëdhëniet e kryeministrit Benjamin Netanjahu me Kreun e Shtëpisë së Bardhë Joe Biden. Në një ndërhyrje të rrallë karshi shtetit aleat, presidenti amerikan i kërkoi Natanjahut të heqë dorë nga plani për reformën në drejtësi, që do tkurrte kompetencat e sistemit gjyqësor dhe do të forconte kontrollin e qeverisë ndaj tij.

“Nuk e di nëse po reflektojnë, por mendoj se janë në një pozitë të vështirë dhe ata duhet ta zgjidhin këtë çështje.”

Por, kjo thirrje ngjalli reagimin e udhëheqësit izraelit i cili tha se nuk merr vendime bazuar tek presioni nga jashtë. Netanjahu theksoi ndër të tjera se administrata e tij po përpiqej të bënte reforma “me një konsensus të gjerë” dhe se vendi është i përkushtuar ndaj demokracisë.

“Si mund të sigurojmë që gjyqësori të mbetet i pavarur dhe të balancojmë nevojën për të forcuar ekzekutivin dhe legjislativin dhe në të njëjtën kohë të mbrojmë të drejtat individuale? Mendoj se ekuilibri mund të arrihet. Kjo është arsyeja pse unë kam promovuar një pauzë që tani i mundëson opozitës dhe qeverisë të ulen dhe të përpiqen të arrijnë një konsensus.”

Pavarsisht këtyre pikëpmajeve të ndryshme kryeministri izraelit u kujdes të theksonte se aleanca mes Izraelit dhe SHBA-së është e pathyeshme dhe i tejkalon mosmarrëveshjet e herë pas hershme.

Reforma në drejtësi do t’i jepte Netanjahu, i cili po gjykohet nën akuzat për korrupsion, fjalën e fundit në emërimin e gjyqtarëve të vendit. Për këtë arsye mijëra qytetarë kanë dalë anembanë vendit për të kundërshtuar ndryshimet në gjyqësor.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share