Përplasja e trenave në Greqi/ Të mbijetuarit përshkruajnë makthin e përjetuar: Kaos, njerëz që bërtisnin…

Të paktën 36 persona kanë humbur jetën dhe dhjetra të tjerë janë plagosur si pasojë e përplasjes së 2 trenave pranë qytetit të Larisës së Greqisë mbrëmjen e së martës. Ekipet e shpëtimit kanë kërkuar gjatë gjithë natës për të gjetur të mbijetuar në vendin e ngjarjes.

“Dëgjuam një zhurmë të madhe. Pastaj u përhap panik. Kavo, zjarr. Zjarri ishte i menjëhershëm. Zjarri ishte djathtas dhe majtas. Për 10-15 sekonda ishte kaos. Përmbysje, zjarre, kabllo të varura, xhama të thyer, njerëz që bërtisnin dhe njerëz të bllokuar”, tregon një nga të mbijetuarit, 28-vjeçar Stergios Minenis.

Sipas një pasagjeri, i cili tregoi përjetimin e tij për “Sky News”, xhamat u thyen shumë shpejt, ndërsa njerëzit bërtisnin dhe kishin frikë.

“Për fat të mirë, mundëm të hapnim dyert dhe të largoheshim shumë shpejt. Në vagonët e tjerë nuk arritën të dilnim e madje vagoni mori flakë”, tregon ai.

Një pasagjer tjetër, Angelos Tsiamouras tha për mediat lokale se përplasja ishte ndjerë si një tërmet, ndërsa një tjetër i quajtur Lazos tha për “Protothema”: Unë nuk u lëndova, por u gjakosa nga njerëzit e tjerë që u plagosën pranë meje.

Ngjarja ndodhi pak pas orës 23:00, me orën lokale, në afërsi të Tempi. Treni po përshkonte hekurudhën Selanik-Larisa dhe ishte nisur në orën 19:22.

“Ishte një përplasje shumë e fuqishme. Kjo është një natë e tmerrshme. Është e vështirë të përshkruhet skena”, tha guvernatori rajonal i rajonit të Thesalisë, Kostas Agorastos.

Ai deklaroi se katër vagonët e parë të trenit të pasagjerëve u dolën nga shinat, dhe dy vagonët e parë morën flakë dhe u shkatërruan pothuajse plotësisht.

“Unë kurrë nuk kam parë diçka të tillë në tërë jetën time. Është tragjike. Pesë orë më vonë, ne po gjejmë trupa,” tha një pjesëtar i ekipit të shpëtimit për agjencinë e lajmeve AFP./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share