Përmbytjet, Rama në Shkodër: Për të vënë duart në kokë nga shtrembërimi i situatës, nuk ka krahasim me 2010-ën

Spiropali: Janë evakuuar 22 familje

Kryeministri Edi Rama ishte në Shkodër tek harku i Bërdicës për të parë nga afër situatën e krijuar si pasojë e reshjeve intensive të shiut. Kreu i qeverisë u shpreh se “është për të vënë duart në kokë nga gjithë shtrembërimi i situatës”. Sipas tij, krahasuar me përmbytjet e 2010-s situata është e paimagjinueshme dhe nuk ka krahasim.

“Ajo që është për të vënë duart në kokë është gjithë shtrembërimi i situatës për kanalet apo portalet me një tërbim dhe një kombinim të padijes me ligësinë që të thuash këtu është bërë një qamet i madh. Krahasuar me të pakrahasueshmen në fakt të 2010, është një situatë e paimagjinueshme, s’ka krahasim. Është kot t’i hysh kësaj”, u shpreh Rama.

Kryeministri shoqërohej nga ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, e cila tha se në krahasim me vitin 2010 situata është përmirësuar tërësisht. Sipas saj, nga 12 mijë banorë të evakuuar atëherë, sot janë evakuuar vetëm 22.

“Numri i shtëpive dhe banesave, 2080 në 2010… Nuk ka krahasim fare se sot nuk kemi asnjë banesë dhe asnjë shtëpi të mbuluar nga uji, as në oborr madje. Në atë kohë jo oborri, por uji mbërrinte deri në çatitë e shtëpive. 12 mijë banorë të evakuuar në 2010-ën dhe sot kemi 22 familje dhe 3 familje të vendosura në konvikt. Pra nuk ka krahasim. E kanë kthyer të vërtetën përmbys, sidomos ai që erdhi dje të vizitonte Bashkinë e Shkodrës, i cili në vend që të kërkonte falje për atë që bëri në 2010 erdhi të pluskojë në ujërat e Shkodrës dhe të helmojë ujërat e Shkodrës dhe të niset prapë për fatkeqësitë dhe punët e tij”, u shpreh Spiropali.

Rama u shpreh se ndërhyrjet në sistemin e kullimeve në zonën e Shkodrës janë bërë nga strukturat qendrore, ndërsa tek ato në nivel qendror, shtoi se ka pasur gjithmonë problem.

“Mos harrojmë që në rast se në zonat e tjera kemi ndryshim komplet të sjelljes së sistemeve të kanalizimeve, të kullimit e tjerë, këtu është bërë çfarë është bërë në strukturat qendrore ndërkohë në strukturat në nivel vendor me thënë të drejtën kemi pasur gjithmonë problem. Nuk dua fare as të fajësoj njëri, as të tregoj gishtin njeriu, por faktikisht të thuash se kjo erdhi si rezultat se u përmbyt dynjaja, u bë qameti nga kaskada, ky është një skandal më vete… nuk kemi çfarë i bëjmë”, u shpreh Rama./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share