Përmbytjet në Vlorë, bëhet evakuimi i 55 familjeve

Rrugët e qytetit të Vlorës u përmbytën masivisht të premten, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në biznese

Pamjet e pazakonta treguan makinat e parkuara të mbuluara nga uji dhe lagje të tëra nën pushtetin e ujit.

Kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha, në një intervistë për Euronews Albania, shpjegoi se shkaku i përmbytjeve ishte sasia e madhe e reshjeve që ra për dy orë e gjysmë, e cila ishte shumë më e lartë se norma e zakonshme.

Dredha theksoi se rreth 180 mm shi ranë brenda kësaj periudhe, që është e barabartë me sasinë e reshjeve për një muaj.

Ai tha se ekipet e bashkisë kanë bërë të mundur evakuimin e 55 familjeve, ndërkohë që shtoi se situata është normalizuar.

“Prurja e reshjeve ka qenë tej normales. Rreth 180 mm shi për dy orë e gjysmë është sasia e reshjeve që normalisht bie për një muaj. Imagjinoni prurjet me një intensitet kaq të lartë që bien në vetëm dy orë e gjysmë. Për këtë arsye, kanali i ujërave, me atë masë prurjesh, ka dalë jashtë kapacitetit dhe të gjithë ai ujë ka përmbytur qytetin. Një ditë më parë, ne i paralajmëruam qytetarët për reshjet, duke i këshilluar që të ishin të kujdesshëm, sepse e prisnim që do të kishte reshje. Të gjitha kanalet janë pastruar më parë për të qenë gati për sezonin e reshjeve, por sasia e prurjeve ishte jashtë normales”, tha Dredha./euronewsalbania/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share