Shpallet armëpushimi 24-orësh në Sudan, do të lejohet evakuuimi i civilëve të plagosur
Një autokolonë diplomatike amerikane është sulmuar gjatë përleshjeve të ashpra në Sudan.
Incidenti u njoftua nga Sekretari amerikan Antony Blinken.
“Fola me komandantin e Forcave të Armatosura sudaneze Burhan dhe komandantin e Forcave të Mbështetjes së Shpejtë Dagalo dhe nënvizova nevojën urgjente për një armëpushim. Shumë jetë civilësh tashmë janë humbur. Theksova rëndësinë e garantimit të sigurisë së personelit diplomatik dhe punonjësve të ndihmës.”
Thirrja e Blinken është dëgjuar nga Mohamad Hamdan Dagalo, i cili udhëheq Forcat Paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë të cilat kanë luftuar ne njësitë e ushtrisë të presidentit de-facto, Abdel Fatah Al-Burhan. Dagalo ka bërë të ditur se ka pranuar propozimin për armëpushim për qëllime humanitare.
“Bazuar në kontaktet e drejtpërdrejta me Antony Blinken, Sekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara, dhe përpjekjet e vendeve mike që kanë bërë thirrje të ngjashme, shpallim miratimin e propozimit për armëpushim njëzet e katër orë.”
Të hënën në mbrëmje mediat e huaja bënë me dije se ambasadori i Bashkimit Evropian në Sudan, Aidan O’Hara, është sulmuar në shtëpinë e tij në kryeqytetin Khartum. Luftimet në Sudan deri tani kanë shkaktuar vdekjen e të 185 personave dhe plagosjen e mbi 1 mijë e 800 të tjerëve.
Sudani është drejtuar nga 2 gjeneralë që kur një grusht shteti përmbysi presidentin, Omar al-Bashir, në vitin 2019. Ata nuk pajtohen rreth mënyrës sesi vendi duhet të kalojë nga regjimi ushtarak në atë civil.
Klan News