Ka dalë jashtë kontrollit situata në Kuvendin e Kosovës. Mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës ka pasur përleshje fizike . Gjithçka ka ndodhur gjatë kohës që kryeministri Albin Kurti po mbante fjalim në foltore.
Kurti ishte duke folur për situatën në veri të Kosovës, kur fjalimi i tij u ndërpre nga deputetët e opozitës që brohorisnin “rrenc”.
Pastaj ai u sulmua fizikisht nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku dhe Hajdar Beqa sipas asaj që raporton Radio Evropa e Lirë. Deputetët i kanë hedhur ujë kryeministrit Kurti.
Menjëherë aty ka ndërhyrë ministri i Financave, Hekuran Murati. Pas kësaj nisi menjëherë konfrontimi fizik. Siç duket edhe nga pamjet është dashur ndërhyrja e forcave të sigurisë së Kuvendit të Kosovës për të bërë të mundur qetësimin e situatës.
Aktualisht situata vijon të jetë e tensionuar. Të gjithë deputetët dhe kabineti qeveritar janë në këmbë bashkë me kryeministrin Albin Kurti. Pranë Kurtit janë duke qëndruar mbrojtja e tij e afërt dhe ministrat bashkë me deputetët e LVV-së përreth.
Çfarë po deklaronte Kurti kur ndodhi përplasja?
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti po fliste për marrëveshjen e nënshkruar në Bratisllavë mes zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi me të dërguarin e BE-së për dialogun Miroslav Lajçak, kur papritur shpërtheu dhuna.
“Marrëveshja që u bë nuk është marrëveshje për normalizim, është marrëveshje për de-eskalim në të cilën ne natyrisht nuk heqim dorë nga zbatimi i ligjit, nga sundimi i ligjit, nga luftimi i krimit të korrupsionit e kontrabandës. Por në të njëjtën kohë edhe e kemi shfaqur ndjeshmërinë për rëndësinë e paqes së qëndrueshme, të stabilitetit afatgjatë të sigurisë për të gjithë, e cila nënkupton që të kemi ndjeshmëri që në këto dy javët e fundit nuk ka pasur as protesta të dhunshme, as incidente, as sulme në veri të Kosovës”.
Opozita ditëve të fundit, sikurse edhe në këtë seancë, ka qenë kritikuese ndaj pushtetit pasi në mediat në Kosovë kanë dalë pergjime të shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendoje, Mimoza Kusari-Lila, ku ajo ka pranuar që ka zhvilluar një bisedë me nënkryetarin e Listes Serbe, Milan Radoiçiç.
Milan Radoiçiç është nënkryetari i Listës Serbe, i cili kërkohet nga autoritetet e Kosovës dhe është gjithashtu në listën e zezë të SHBA-së për “përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar”. Ai po ashtu kërkohet nga Kosova për dyshimet se është përfshirë në frikësimin e dëshmitarëve në rastin gjyqësor, të njohur si “Brezovica”.
Radoiçiç po ashtu përmendet në aktakuzë si “udhëheqës të grupit kriminal”, i cili planifikoi vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviç. Megjithatë, urdhërarresti për Milan Radoiçiçin u tërhoq në mars të vitit 2021 pa asnjë shpjegim.