“INSTITUCIONET T’I VËNË PARA DREJTËSISË PËRGJEGJËSIT”
Shkelje flagrante të Rregullores së punës në Kuvendit, e ligjeve në fuqi, po cilësohen veprimet E deputetëve gjatë përleshjes fizike në organin legjislativ.
Violeta Haxholli, hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës tha se në Kodin Penal dhe Kodin e Procedorës Penale saktësohet qartë shkeljet dhe masat që duhet të merren. Për këtë ajo ka kërkuar që institucionet t’i vënë para drejtësisë përgjegjësit.
“Konfrontimet janë edhe më serioze. Ato shkojnë përtej rregullores, përtej ligjit për përgjegjësinë e deputetëve. Janë shkelje flagrante të tyre, por pastaj sanksionet që parashihen për personat, qofshin ata deputetë, ministra, apo qytetarë të thjeshtë të cilët përfshihen në dhunë fizike dhe në sulm të personave zyrtarë, kjo hyn në Kodin Penal dhe në Kodin e Procedurës Penale dhe për këtë organet e rendit marrin masat e nevojshme dhe ne besojmë se si Institut që drejtësia do t’i vërë para përgjegjësisë akterët të cilët kanë qenë të përfshirë në dhunë” – tha Violeta Haxholli.
Haxholli pohon se sjelljet e tilla janë imazh i keq dhe e kthejnë mbrapa vendin sa i përket zhvillimit të demokracisë parlamentare.
“Përndryshe hapa të tillë na qojnë hapa mbrapa sa i përket zhvillimit të demokracisë parlamentare. Nuk janë një imazh i mirë për Kosovën, nuk janë një imazh i mirë i vendit as nga deputetët e Kosovës të cilët nga deputetët e vendit presin alternativa, politika konkrete për rritjen e mirëqenies së tyre, prandaj dhuna nuk ofron asnjë kontribut, asnjë progres sa i përket zhvillimit të vendit dhe ato nuk duhet të përsëriten. Për ato sjellje, ato veprime u mbetet organeve të drejtësisë që të marrin masa siç edhe parashihen me ligj” – tha Violeta Haxholli
Gjatë seancës në Kuvendin e Kosovës me 13 korrik kishte përleshje fizike ndërmjet deputetëve dhe anëtarëve të Qeverisë, teksa opozita po kritikon pushtetin për shkak të publikimeve të disa përgjimeve ku është përfshirë deputetja Mimoza Kusari-Lila.