Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i konsideroi të pavlefshme rreth 15% të firmave të dorëzuara prej tij
Politikani opozitar rus, Boris Nadezhdin, i cili arriti që të mblidhte një mbështetje shumë të madhe nga populli, është përjashtuar nga gara për zgjedhjet presidenciale.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Rusi kishte gjetur mangësi në më shumë se 15% të firmave për kandidaturën e Nadezhdinit. Kritiku i Putinit ka bërë të ditur se do e ankimojë vendimin në Gjykatën e Lartë, duke ngulur këmbë se të gjitha 200.000 nënshkrimet e mbështetësve të tij ishin mbledhur në mënyrë të hapur dhe të drejtë.
“Vendimi për të garuar për president më 2024 ishte vendimi më i rëndësishëm politik në jetën time. Unë nuk do të heq dorë nga qëllimet e mia. Do të ankohem ndaj vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, tha Nadezhdin.
Nadezhdin, një 60-vjeçar i lindur në Uzbekistan, po përkrahet nga shoqatat e politikanit të burgosur opozitar, Aleksei Navalny dhe figurat opozitare, Maksim Kats dhe Mihail Khodorkovsky, të cilët janë kundër luftës në Ukrainë.
Deri më tani, përballë shefit të Kremlinit janë 3 kandidatë të miratuar, ndërsa regjistrimi mbyllet të shtunën. Në sistemin politik të kontrolluar, shumë njerëz kanë kandiduar kundër Putinit në të kaluarën dhe e kanë portretizuar veten si kundërshtarë të vërtetë, por askush nuk ka fituar. Kremlini thotë se zgjedhjet e marsit janë një garë politike në mirëbesim dhe se Putini, i cili gëzon një vlerësim prej rreth 80%, është vërtet popullor.
Klan News