Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, në një konferencë për media ka bërë të ditur se kanë përfunduar hetimet dhe kanë ngritur aktakuzë për të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt.
Të akuzuarit janë, Naim Murseli, Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava, transmeton Telegrafi.
Në konferencë ka folur edhe prokurorja e rastit e poashtu edhe hetuesit.
Ndryshe, Liridona Ademaj është vrarë më 29 nëntor të vitit 2023, ndërsa të dyshuarit për planifikimin dhe ekzekutimin e krimit të rëndë janë bashkëshorti i viktimës, Naim Murseli, si edhe Granit Plava e Kushtrim Kokalla.
Rasti i vrasjes së 39-vjeçares, fillimisht ishte hetuar si “grabitje me pasoja vrasje”, por hetimet intensive kishin rezultuar me arrestimin e tre personave, ku Murseli, konsiderohet si koka prapa krimit tronditës.
Disa orë para se të vritej Liridona Ademaj, i dyshuari për rastin e organizimit të vrasjes së gruas së tij, Naim Murseli ishte takuar me të dyshuarin Kushtrim Kokalla duke i thënë “sot duhet të kryhet kjo punë”, duke aluduar në vrasjen e Ademajt.
Sipas dosjes së Prokurorisë, takimi kishte ndodhur në një qendër në Gjakovë në ora 9:30 minuta në mëngjes.
Ky takim kishte ndodhur si rrjedhojë e një takimi rreth një javë para natës kritike, ku Murseli i kishte treguar Kokallës lidhur me “problemet bashkëshortore që është duke pasur me të ndjerën.” “Kokalla ishte munduar t’i bëjë zgjidhje Murselit duke i thënë ‘unë ta zgjidhi këtë punë”- thuhet në dosje./Telegrafi/