Përfundoi Samiti i PBEJL-së në Shkup – Mesazhe për përshpejtimin e integrimit evropian!

Mesazhe për përshpejtimin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE, paqe të qënndrueshme dhe marrëdhënie të mira ndërfqinjësore, thellimi I bashkëpunimit rajonal dhe afrimi drejt tregut të përbashkët evropian, ishin në fokusin e Samitit të shefave të shteteve dhe qeverive të vendeve pjesëmarrëse të Procesit për bashkëpunim në Evropën Juglindore.

Me Samitin e sotëm në Shkup u rrumbullaksua kryesimi njëvjeçar i RMV-së me PBEJL-në, kryesim të cilin para një viti e mori nga Mali i Zi, kurse në korrik i dorëzohet Shqipërisë.

“Jemi të vetëdijshëm se ekziston lodhja nga zgjerimi, por lodhja më e madhe vjen nga pritja. Për këtë shkak në cilësinë e kryesuesve me PBEJL-në inkurajoj partnerët evropian të qëndrojnë konsekuent dhe parimor drejt idesë evropiane dhe vizionit për continent të bashkuar dhe të hapur” – tha në press-konferencën e përbashkët, Presidentja e RMV-së, Gordana Siljanovska Davkova.

Përshpejtimi I integrimeve evropiane dhe avancimi i bashkëpunimit rajonal ishin dy prioritetet e fokusit të kryesimit malazez, tha Presidenti malazez, Jakov Milatoviq.

“Me rëndësi është të mbetemi në kursin e zhvillimit demokratik dhe sundimit të së drejtës për shkak se vetëm në këtë mënyrë shoqëritë tona mund të përparojnë në mundësinë që po e jep entuziazmi I zgjuar dhe momentumi I ri që e ekmi në Bruksel për zgjerimin” – tha Milatoviq.

Presidenti shqiptar, Bajram Begaj, potencoi se Shqipëria si kryesues I rradhës do të mbetet mbështetës proaktiv të bashkëpunimit rajonal.

“Shqipëria do të fokusohet në një sërë prioritetesh për anëtarësim në BE, stabilitetin ekonomik, agjendën e gjelbërt dhe digjitale, turizmin e kulturën” – tha Begaj.

Por, në këtë Samit, nuk pati takim dypalësh midis Presidentes Siljanovska dhe shefit të diplomacisë greke, Jorgos Gerapetritis.

Ishte kjo vizita e parë e një zyrtari të lartë grek pas tensioneve Shkup – Athinë rreth Marrëveshjes së Prespës, që nisën me mospërdorimin e emrit kushtetues të vendit gjatë ceremonisë së inaugurimit të Presidentes Siljanovska.

Siljanovska theksoi se ministri grek ka mbërritur me vonesë për shkak të fluturimit, kurse gjatë fjalë së tij në Samit janë dërguar mesazhe të karakterit rajonal.

“Atmosfera ishte miqësore. Mendoj se ne njerëzit e Ballkanit kur ka nevojë mund të kuptohemi “ – tha Presidentja Siljanovska.

Lidhur me përdorimin e emrit kushtetues, Siljanovska, përsëriti qëndrimet paraprake. Tha se si njeri ka të drejtë për lirinë e mendimit dhe të shprehjes dhe nuk mendon se shkel Kushtetutën.

“Nuk mendoj se mospërdorimi i emrit kushtetues mund të shkaktojë probleme. Ju rikujtoj se të gjitha dokumentet që i nënshkruaj, të gjithë që dalin nga kabineti presidencial janë me emrin kushtetues” – tha Siljanovska.

Temë e pashmangshme në Samitin rajonal në Shkup ishte edhe Ukraina. Presidentja Siljanovska tha se Evropa përballet me sfida serioze ekonomike dhe të sigurisë.

Por, nuk pati qëndrim nëse mbështet dërgimin e armëve për Ukrainën, duke potencuar se RMV-ja vepron konform politikës evropiane.

Samitit të Shefave të shteteve dhe qeverive të PBEJL-së, I parapriu takimi ministror në kuadër të këtij procesi, me të cilin kryesoi Ministri I Jashtëm, Bujar Osmani.

Sipas Osmanit 13-të vendet e PBEJL-së arritën konsensusin rreth dy cështjeve.

E para, u dakordua që Amar Kapetanoviq nga B e H, TË JETË Sekretari I ri I Përgjithshëm I këshillit për Bashkëpunim Rajonal – trupit ekzekutiv të PBEJL-së.

Këtë pozitë, deri tani e ka ushtruar Majlinda Bregu, e cila tri vitet e kaluara ishte ushtruese detyre, për shkak se vendet nuk arrinin konsensus.

Kurse konsensusi I dytë ishte miratimi I Deklaratës së Përbashkët.

Krahas RMV-së dhe Greqisë, pjesë e Procesit për Bashkëpunim në Evropën Juglindore janë edhe Serbia, Kosova, Mali i Zi, Shqipëria, B e H, Bullgaria, Kroacia, Moldavia, Sllovenia, Rumania dhe Turqia.

Krahas zyrtarëve të lartë në Shkup, pjesë e delegacioneve të Samitit, ishin Ministrat e Jashtëm të Serbisë – Marko Gjuriq, të Turqisë – Hakan Fidan, Zv/Ministri i Jashtëm i Bullgarisë – Ivan Kondov, sekretarët shtetëror të MPJ së së Moldavisë – Sergej Mihov dhe të Rumanisë – Daniela Gitman si dhe Ambasadorët e Sllovenisë – Gregor Presker dhe të Kroacisë – Nives Tiganj.

Pjesëmarrës të Samitit pati edhe nga BE-ja – Zv/Drejtori në Shërbimin evropian për punë të jashtme të BE-së, Marko Kakovec dhe përfaqësuesja e Komisionit Evropian – Ana Veziroglu.

PBEJL-ja si forum për bashkëpunim rajonal është themeluar më 1996 dhe përfshin të gjitha vendet e Evropës Juglindore.

Qëllimet kryesore janë avancimi i bashkëpunimit politik dhe të sigurisë, nxitja e bashkëpunimit ekonomik dhe zgjerimi I bashkëpunimit në fushën e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe së drejtës./tvklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share