Përfituan 1.4 miliardë dollarë gjatë pandemisë, SHBA po heton 3000 persona

Departamenti i Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës njofton se ka sekuestruar mbi 1.4 miliardë dollarë të vjedhura nga fondet e ndihmës për të përballuar pandeminë e koronavirusit, teksa në të gjithë vendin po hetohen mbi 3 mijë persona për vjedhje.

Sipas Zërit të Amerikës, akuza federale janë ngritur kundër 371 të dyshuarve për vepra që lidhen me mashtrime që kapin vlerën mbi 836 milionë dollarë.

“Kjo çështje, që përfshin mbi 300 të pandehur dhe mbi 830 milionë dollarë në mashtrime, duhet të dërgojë një mesazh të qartë: situata emergjente e krijuar nga pandemia mund të ketë përfunduar, por puna e Departamentit të Drejtësisë për të identifikuar dhe ndjekur penalisht ata që vodhën fondet e pandemisë nuk ka përfunduar”, tha në një deklaratë Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland.

Shtetet e Bashkuara po hetojnë shumë raste mashtrimi të lidhura me programet e ndihmës së qeverisë. Në maj të vitit 2021, prokurori Garland formoi një grup pune për të hetuar mashtrimet me ndihmat kundër pandemisë.

Sipas një agjencie federale, ka të ngjarë që të jenë vjedhur mbi 200 miliardë dollarë nga programet e ndihmës kundër COVID-19, kjo edhe për arsye se në përpjekje për të përshpejtuar ndarjen e fondeve për pandeminë, administrata kishte ulur masën e kontrollit.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share