Vendet perëndimore kanë vendosur kufizim për çmimin e naftës ruse. Vendimi është marrë nga G7 dhe BE.
Vendosja e kufizimit të ri për çmimin e naftës ruse do të godasë direkt Rusinë, thotë SHBA, dhe do të presë menjëherë burimin më të rëndësishëm të të ardhurave të Putinit.
Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen, tha se vendosja e kufizimit u miratua të premten zyrtarisht nga aleatët perëndimorë pas shumë muajve punë.
Ky vendim do të hyjë në fuqi nga data 5 Dhjetor. Sipas këtij vendimi, kufiri i vendosur ndalon shtetet që të paguajnë më shumë se 60 Dollarë për fuçi nga eksportet e naftës së papërpunuar ruse që nxirret nga deti.
Shtetet që janë prekur nga kriza energjetike dhe nga rritja e ndjeshme e çmimeve të ushqimeve, pritet që të përfitojnë nga ky vendim që cakton kufizim për naftën ruse.
Nisma për kufirin e çmimit të naftës ruse u vendos në Shtator nga vendet e G7 (SHBA, Kanada, Britani e Madhe, Francë, Gjermani, Itali, Japoni).
Ndërsa Bashkimi Europian e miratoi kufirin e çmimit ditën e premte, pasi unioni arriti të bindte Poloninë për ta mbështetur.
Polonia e votoi vendosjen e kufirit për naftën ruse pasi mori garancinë se ky çmim do të mbahej në një vlerë 5% më të ulët se norma e tregut. Varshava ka dashur që çmimi kufi për naftën ruse të ishte sa më i ulët. Ishte raportuar se BE synonte ta vendoste kufirin në 65-70 Dollarë për fuçi, por ishin Polonia, Lituania dhe Estonia që refuzuan me argumentimin se është çmim i lartë. Por pas diskutimeve, u arrit dakordësia.
Në një deklaratë të përbashkët, G7, BE dhe Australia thanë se caktimi i një kufiri për çmimin e naftës do të parandalojë Rusinë që të përfitojë nga lufta e saj në Ukrainë. /tvklan.al