Ceremonia mortore, në katedralen e Milanos
Në kishën katedrale të Milanos po zhvillohet ceremonia mortore shtetërore për Silvio Berlusconin. Ish-kryeministri u nda nga jeta në moshën 86-vjeçare të Hënën, në spitalin San Rafaele të Milanos, ku së fundi kurohej nga leucemia kronike.
Të pranishëm në meshën funebre të drejtuar nga kryepeshkopi i Milanos janë dhjetëra krerë shtetesh mes mijëra të ftuarish. Ndër ta është edhe kryeministri Edi Rama, i ulur në vijën e dytë të të ftuarve në krah të homologut hungarez Viktor Orban.
Të pranishëm në vijën e parë janë edhe presidenti italian Serxho Matarela dhe kryeministrja Xhorxha Meloni, bashkëshortja dhe 5 fëmijët e ish-kryeministrit.
Trupi i tij do të dërgohet më pas në vilën e tij në Arkore ku do të prehet në një mauzole gjigant nëntokësor, të cilin e planifikoi vetë në mesin e viteve ‘90. Ditën e sotme, Italia është në zi kombëtare dhe flamujt janë ulur në gjysmë shtizë.
Tv Klan