I ulur brenda spitalit Al-Shifa në qytetin e Gazës, në mes të kaosit, 35 vjeçari Ahmed Abu Al-Saba po shkruan emrin e tij në krah.
“Ne shkruajmë emrat tanë në duart tona dhe emrat e fëmijëve tanë në duart e tyre për të mundësuar që trupat tanë të identifikohen nëse vdesim prej shpërthimit të bombave”, është shprehur ai për mediat e huaja.
E dhimbshme të mendosh se emrat përdoren për një qëllim të tillë, në një vend që duket sikur i përket një planeti tjetër. Qindra fëmijë në Gaza rreshtohen brenda spitalit për të shkruar emrat në krahët e tyre.
Që prej nisjes së konfliktit (7 Tetor) janë vrarë rreth 2055 fëmijë palestinezë nga sulmet ajrore. Duke vrapuar për jetën e tyre mes rrënojave të shtëpive të tyre, palestinezët e vuajtur janë siguruar që ata të identifikohen në rast se ata janë të radhës në sulmet e synuara nga forcat izraelite.
Siç duket, ata që japin urdhër për hedhjen e bombave “nuk bëjnë asnjë diferencim”. Lagjet e shkatërruara në Gaza, mbi një million njerëz që po përpiqen të zhvendosen diku tjetër e mijëra të plagosur brenda spitaleve thuajse të rrënuara. Këto janë skenat e vetme sot në Gaza!
Të paktën 5,087 palestinezë, duke përfshirë 1,023 gra dhe 2,055 fëmijë, janë vrarë nga sulmet izraelite në Gaza, ndërsa 15,273 të tjerë janë plagosur. Ndërsa nga pala tjetër, janë vrarë 1400 izraelitë.
Sami Al-Arian, akademik palestinez, thotë se Izraeli po përdor bomba të prodhuara nga Amerika.
“Në botën e tyre, fëmijët palestinezë nuk meritojnë të jetojnë, ndërsa kriminelët izraelitë mbrohen dhe lavdërohen”, tha Al-Arian.
Kujtojmë se e gjitha nisi më Tetor kur Hamasi nisi operacionin “Al Aksa Flood” duke rrëmbyer dhjetëra persona. Më tej Izraeli pasoi me lëshimin e një sërë raketash në Gaza në formë hakmarrjeje./tvklan.al