Për arrestimin e tij u vendosën bllokadat në veri të Kosovës, lirohet ish-polici serb Dejan Pantiç

Ish-polici serb Dejan Pantiç, i cili u arrestua pasi dyshohet nga autoritetet e Kosovës për organizimin e sulmit ndaj zyrtarëve të KQZ-së më 6 Dhjetor, është liruar nga masa e arrestit me burg. Kjo masë është zëvendësuar me arrest shtëpia.

Pantiç mbahej në paraburgim në pikën kufitare në Jarinjë, pasi e kishte të pamundur policia e Kosovës që ta sillte në pjesën jugore për shkak se serbët lokalë vunë barrikadat pas arrestimit të tij.

“Gjykimi për t’u vendosur që të qëndrojë në paraburgim për një muaj ishte bërë online. Lirimi i tij mund të ndikojë në dialogimin që ka KFOR me serbët lokalë atje, apo grupet kriminale serbe që janë duke bllokuar rrugët në veri të Kosovës meqë arsyeja e bllokimit të rrugëve ishte arrestimi i Pantiç”, raportoi gazetarja Blerta Dalloshi Berisha.

Pantiç, ish-polic i Kosovës, u arrestua më 10 Dhjetor në pikën kufitare të Jarinjës. Sipas autoriteteve të Kosovës, ai dyshohet për organizmin e “sulmit terrorist” të 6 Dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Arrestimi i Pantiçit, nxiti ngritjen e barrikadave në veri të Kosovës. Barrikadat u vendosën nga disa serbë lokalë, duke bllokuar rrugët që çojnë drejt dy pikëkalimeve kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën me Serbinë.

Për shkak të ngritjes së barrikadave, autoritetet kanë konfirmuar se Pantiç po mbahet në një stacion policor afër Jarinjës. Kosova ka kërkuar ndihmën e misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë për Sundim të Ligjit (EULEX) për transferimin e Pantiçit./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share