Një 22-vjeçar u qëllua për vdekje nga policia franceze, pas dyshimeve se kishte vrarë 5 anëtarët e familjes së tij, përfshirë 3 fëmijë. Ngjarja e rëndë ndodhi të mërkurën. Ai raportohet se ishte i armatosur me armë zjarri dhe shpatë japoneze teksa i mori peng familjarët e tij në një shtëpi në Douvres, Ain, në lindje të Francës prej të martës në mbrëmje.
Mediat lokale raportuan se 22-vjeçari u ekzekutua gjatë mesditës nga Grupi i Ndërhyrjes së Shpejtë i Xhandarmërisë Kombëtare, që janë të specializuar në situata pengmarrjeje dhe antiterror.
Le Progres raporton se i riu vrau të babain, njerkën, motrat 17 dhe 15 vjeç dhe vëllain 5 vjeç.
Christophe Rode, prokuror në Bourg-en-Bresse, tha se pengmarrësi dyshohet se vuante nga probleme psikiatrike.
Rode tha se kishte qenë vetë autori që telefonoi policinë dhe se kur oficerët mbërritën në vendngjarje, shumë prej anëtarëve të familjes kishin vdekur.
Sipas asaj që raporton The Independent, më shumë se 100 oficerë shkuan në vendngjarje dhe specialistët u përpoqën të negocionin me 22-vjeçarin për orë të tëra.
“Për orë me radhë gjatë natës dhe mëngjesit të 20 Korrikut, xhandarmëria u përpoq që të vinte kontakt me autorin, në çdolloj mënyre, si nëpërmjet telefonit ashtu edhe duke tentuar kontaktin e drejtpërdrejtë me negociuesit”, tha prokurori.
Autori jo vetëm nuk u dorëzua, por ai i drejtoi armën policisë.
“Pavarësisht disa telefonatave ku i bëhej thirrje për të ulur armët, ai nuk pranoi dhe avancoi në drejtim të xhandarmërisë, të cilët në fund u detyruan të përdornin armët”.
Ngjarja raportohet të jetë një ndër sulmet më vdekjeprurëse në familje në Francë prej vitesh./tvklan.al