Ish-presidenti Stevo Pendarovski ka reaguar sot pas akuzave të VMRO DPMNE-së se ai është dyftyrësh dhe se ka marrë zyrën për të cilin kishte deklaruar se nuk do ta pranojë pas largimit nga posti I presidentit.
Në lidhje me akuzat nga VMRO-DPMNE-ja në pushtet se ka treguar modesti të rrejshme duke thënë fillimisht se nuk dëshiron zyre, ndërsa të nesërmen e ka kërkuar nga Qeveria, Pendarovski thotë se zyrën e ka kërkuar pasi i është thënë se nuk ekziston mundësi ligjore që ai të kërkojë dhe të shfrytëzojë hapësira për takime zyrtare.
STEVO PENDAROVSKI – ISH PRESIDENT
-Menjëherë pas përfundimit të mandatit, i kam dërguar një letër Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe i kam kërkuar që të më lejojnë përdorimin e zyres për të zhvilluar takime me qytetarë dhe përfaqësues ndërkombëtarë, por ata më janë përgjigjur se nuk ka as bazë ligjore dhe as praktik te mëparshme për një gjë të tillë. Prandaj, të nesërmen i dërgova një shkresë Shërbimit për Çështjet e Përgjithshme dhe të Përbashkëta të Qeverisë për të më siguruar, në përputhje me ligjin, një zyre të tillë, e cila u realizua gjatë muajit qershor të këtij viti. Për këtë shkak është e paqartë pse partia në pushtet del me konferenca për media dhe njoftime në të cilat ajo vetë jep përgjigje për pyetjet që i shtron opinionit. Qytetarët e Maqedonisë shumë lehtë mund të konstatojnë se kush është hipokrit në këtë rast dhe kush publikon njoftime me të cilat kundërshton vetveten – ka deklaruar ish-presidenti për portalin Plusinfo.
Ai bën të ditur se zyra ende nuk ka uebfaqe dhe qytetarët nuk mund të caktojnë takime për shkak se hapësira nuk është ende gati
– Zyra është në proces rinovimi të plotë, e drejtuar nga Shërbimi për Çështjet e Përgjithshme dhe të Përbashkëta. Pres që faqja e internetit, në të cilën qytetarët e interesuar do të kenë qasje, do të vihet në funksion më së voni muajin e ardhshëm – shton Pendarovski.
VMRO-DPMNE edhe sot kanë drejtuar akuza ndaj ish-presidentit për manipulim me qytetarë duke e quajtur hipokritë.
TONI JAREVSKI – DEPUTET I VMRO-DPMNE-së
Dy muaj pas largimit të Pendarovskit nga posti i tij, ai ka kërkuar, përveç 3 personave të punësuar rregullisht, t’i aprovohen mjete financiare për të punësuar edhe personin e katërt.
Shuma që Pendarovski e ka kërkuar për punësimin e personit të katërt është 51.000 denarë. Stevo Pendarovski manipulon qytetarët dhe rrejshëm paraqitet si modest, ndërsa në fakt kërkon më shumë se sa ka deklaruar publikisht. Stevo Pendarovski është njësoj si kur ishte president. Sipas nevojës, Stevo Pendarovski ndryshon pikëpamjet e tij.
Ndryshe pas përfundimit të mandatit si kryetar i shtetit, Pendarovski hoqi dorë nga një pjesë e beneficioneve shtetërore dhe nuk mori pension presidencial.
Ai iu kthye karrierës akademike si profesor në Universitetin Amerikan Kolegji në Shkup. /tvklan.mk