Kryeminstri Dimitar Kovaçevski, me rastin e njërës prej festave më të mëdha fetare, Kurban Bajramit, i ka dërguar urimin kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reis-ul-Ulema Haxhi Hfz. Shaqir Effendi Fetai, anëtarëve të Rijasetit dhe myftinjve, si dhe të gjithë anëtarëve të besimit islam.
“Festimi i kësaj feste, e cila është simbol i solidaritetit dhe mirëqenies, është në frymën e bashkëjetesës sonë shekullore që ndërtojmë prej brezash. Festa e Kurban Bajramit na kujton të gjithëve kuptimin dhe madhështinë e ndarjes, dashurinë për fqinjin dhe respektin reciprok”, thuhet në urimin e kryeministrit Kovaçevski. Ajo thekson se vetëm së bashku dhe të bashkuar, ne mund të kapërcejmë çdo sfidë dhe të vazhdojmë të ushqejmë dhe mbrojmë shoqërinë tonë si një shoqëri për të gjithë.
Mesazh urimi ka përcjell edhe presidenti i vendit, Stevo Pendarovski.
“Urime Kurban Bajrami të gjithë qytetarëve të besimit Islam. Uroj qe festat ti kaloni ne harmoni, harmoni dhe begati, duke ndihmuar te gjithe qe kane nevoje per ndihme, mbeshtetje dhe mirekuptim”, thuhet në telegramin e urimit të Pendarovskit.
Kryeparlamentari Talat Xhaferi ka theksuar se Kurban Bajrami është festë e solidaritetit dhe e empatisë, festë e zemërgjerësisë dhe e faljes, festë e altruizmit dhe e vetëflijimit, e mirëkuptimit dhe e respektit mes njerëzve.
“Edhe këtë vit, Kurban Bajrami i mbushi zemrat e të gjithë njerëzve dhe le t’i mbush me gëzimin që sjell me vete. Në këtë ditë të madhe, le ta ndajmë tryezën, le ta ndajmë atë që kemi me të afërmit apo të largëtit, të njohurit apo të panjohur, me ata që kanë më shumë dhe me ata që kanë më pak.
Në këtë kohë të trubulencave që po kalon i mbarë njerëzimi si dhe shteti ynë, të mos lejojmë që të kalojmë vetë dhe të vetmuar në betejat dhe sfidat tona dhe të të tjerëve; të bashkohemi për tejkalimin e çdo pengese apo vështirësie që shfaqet para nesh. Ta festojmë së bashku jetën dhe ta ndërtojmë ardhmërinë e përbashkët, sepse të gjithë jemi pjesë e patjetërsueshme e kësaj toke. Edhe njëherë, urime Kurban Bajramin edhe shumë vite ta festojmë!”, thuhet në mesazhin e Xhaferit.