KABINETI I KRYEMINISTRIT KA KONTAKTUAR AMBASADËN E KOSOVËS NË SHKUP
Ikonografia provokative nacionaliste që promovon ide shoviniste paraqet nxitje të urrejtjes etnike dhe padurueshmëri me çka padyshim sulmohen parimet themelore dhe vlerat e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe konceptit Maqedonia si shtet multietnik – thuhet në reagimin e Presidentit Stevo Pendarovski me rastin e vizitës së 11 Gushtit të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Çair dhe Tetovë, njofton KlanM.
Presidenti Pendarovski u bën thirrje organeve kompetente që në afat sa më të shkurtër, sic thotë, t`i përfundojnë procedurat përkatëse.
“Organizatorët e tubimeve publike në Tetovë dhe Çair duhet të sanksionohen sipas ligjit për shkelje të dispozitave ligjore lidhur me përdorimin e flamurit dhe himnit shtetëror dhe simboleve të bashkësive, me injorimin e plotë të simboleve të shtetit” – tha Stevo Pendarovski.
Sipas Presidentit Pendarovski, sic percjell KlanM, mënyra e realizimit të idesë për riemërimin e rrugës në Komunën e Çairit është në kundërshtim me parimin e debatit demokratik dhe respektimit të trashëgimisë historike të të gjitha komuniteteve në vend.
“Pres që shërbimet kompetente inspektuese të kontrollojnë nëse gjatë miratimit të këtij vendimi është respektuar parimi i shumicës së dyfishtë, që duhet t`i përfshijë edhe votat e bashkësive që nuk janë shumicë në atë komunë” – tha Stevo Pendarovski.
Reagoi edhe Kabineti i Kryeministrit, Dimitar Kovaçevski. Përmes një shkrese drejtuar mediave, sic percjell KlanM, njoftohet se vizita e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Çair dhe Tetovë ka qenë e karakterit privat, por se është kontaktuar Ambasada e Kosovës në Shkup, në lidhje me paraqitjen e ikonografisë gjatë tubimit të Tetovë.
“Lloji i ikonografisë i vërejtur në këtë ngjarje në prani të përfaqësuesit të lartë të vendit të huaj është jo adekuate dhe e palejueshme në një vend anëtar të OKB-së dhe NATO-s dhe Ju njoftojmë se SPB-Tetovë po ndërmerr masa për të identifikuar kryerësit dhe për zbardhjen e plotë të rastit” – thonë nga kabineti Kryeministrit.
Kabineti i Kryeministrit, sic njofton KlanM, deklaroi se është për t`u dënuar fakti që në këtë ngjarje të organizuar në territorin e Maqedonisë së Veriut, nuk është intonuar himni kombëtar dhe nuk është vendosur flamuri shtetëror maqedonas. Nga Kabineti I Kryeministrit nuk janë pajtuar as edhe me riemërimin e rrugës në Komunën e Çairit. /KlanMacedonia/