Fushatën zgjedhore për president të shtetit para votimit të rrethit të parë pasnesër, kandidati i përkrahur nga LSDM-ja, Stevo Pendarovski e përfundoi sonte me tubim në Manastir. Manastirasve u porositi që të bëjnë dallimin mes asaj që e ofron LSDM-ja përballë asaj që e ofron VMRO-DPMNE-ja, pasi dhënia e votës për partinë opozitare, tha ai, është kthim prapa në vend të ecjes përpara në integrimet evropiane.
“Pavarësisht nga madhësia e jonë, tani jemi të barabartë dhe në tavolinë të njëjtë me SHBA-në, Francën, Kanadanë, Gjermaninë…, pasi ka pasur garniturë të guximshme politike, e cila nuk kujdesej për rejtingun e saj, as për mandatin e saj, por për sigurinë e shtetit për dekadat e ardhshme”, tha Pendarovski, duke u përqëndruar në anëtaërsimin e shtetit në NATO.
Edhe për integrimin në Bashkimin Evropian, siç tha, është bërë hap historik, pasi pas 17 viteve i kemi hapur negociatat, por për fat të keq, tha ai, u paraqit si pengesë partia kryesore opozitare, e cila nuk ka marrë pjesë në mënyrë pozitive në asnjë nga aktet shtetëformuese nga viti 1991.
Për kundërkandidaten e tij nga VMRO-DPMNE-ja, tha se ajo ofron shfuqizim të të gjitha marrëveshjeve, “të cilat na instaluan në rendin ndërkombëtar si subjekt, e jo si objekt në tryezën politike”.
“Mos i prekni NATO-n dhe BE-në, me këtë e dërgoni Maqedoninë në zonë të rrezikshme”, porositi Pendarovski nga tubimi në Manastir.
Sipas tij, me anulimin e marrëvehsjeve dhe qëllimeve të opozitës që të rinegociojë, do të humben 20 apo 30 vite të reja.
“Ju garantoj se nëse ata eventualisht kanë mundësi të vijnë të pushtet, dhe fillojnë negociata pa efekt, do t’i shpërngulin edhe këta pak njerëz që na kanë mbetur…Kaloi koha e regjimit, nuk guxojmë të lejojmë të instalohet regjimi 2.0. Shef në këtë shtet janë qytetarët e Maqedonisë së Veriut, e jo katër apo pesë njerëz në kreun e VMRO-DPMNE-së. Gjithçka është njëjtë në atë parti, ofertën e kanë absolutisht identike si prej para pesë dhe 15 viteve, nga ajo politike, deri te ajo kadrovike, vetëm një njeri mungon, vetëm Gruevski mungon. Të gjithë të tjerët janë ata që ishin nga viti 2006 deri në vitin 2016, kur jetonin në kurriz të popullit dhe kur ka pasur dy kategori të qytetarëve – anëtarë të VMRO-DPMNE-së dhe të gjithë të tjerët. Për këtë shkak na duhet mobilizim, që të tregojmë se nuk dëshirojmë të kthehemi në regjimin kur një njeri e ka diktuar fatin e të gjithëve”, tha Pendarovski.
E përmendi vitin 2017, kur, tha ai, partia e tashme opozitare ka organizuar bastisje me dhunë në Parlament, me qëllim që të rrahë dhe vrasë kolegë të tyre deputetë, vetëm mos ta humbin pushtetin dhe të lejojnë tranzision të qetë të pushtetit.
Ai kumtoi se nëse fiton mandat të dytë për ta udhëhequr shtetin pas 8 majit, do të inicojë veting të plotë, ose kontroll të pronës të të gjithë politikanëve, gjykatësve dhe prokurorëve, jo vetë m mnë pesë vitet e kaluar, por nga viti 1990 e deri sot.
Pendarovski tha se edhe më tej do të punojë në interes të të gjithë qytetarëve të shtteit dhe nuk do t’i ndajë njerëzit për nga përkatësia etnike, fetare dhe partiake ose sipas statusit të tyre social. /mia.mk