Presidenti Stevo Pendarovski ka pritur përfaqësuesin e posaçëm dhe koordinatorin e Qendrës për angazhim global të DASH-it, Xhejms Rubin.
Siç përcjell KlanM komunikatën e Presidencës, në takim është biseduar për përpjekjet dhe mënyrat e përballjes me dezinformatat dhe ndikimin e tyre mbi zhvillimin e proceseve demokratike në nivel global.
Presidenti Pendarovski ka vlerësuar se dezinformatat kanë potencial të ndikojnë në procese të mëdha politike dhe qytetare tek ne dhe në botë dhe për këtë shkak paraqesin një nga kërcënimet prioritare për sigurinë kombëtare të shumë vendeve.
Në këtë drejtim, sic përcjell KlanM, ka theksuar nevojën e investimeve të vazhdueshme në resurse dhe aftësi për njohjen dhe zbulimin e tyre dhe krijimin e strategjive kombëtare për përgjigje adekuate ndaj dezinformatave.
Presidenti ka potencuar përkushtimin e RMV-së që të vazhdojë aktivisht të punojë në përforcimin e rezistencës ndaj dezinformatave, parandalimin dhe uljen e ndikimeve të dëmshmem duke llogaritur rezistencën ndaj fushatave të dezinformatave që kanë për qëllim të nxisin disponim anti-perëndimor dhe të promovojnë alternativa të paqarta për integrimet evropiane – thuhet në komunikatën e kabinetit presidencial.