Sa i përket miratimit të kornizës negociuese në Parlament nuk jam as optimist e as pesimist, thjesht një realist i cili e di mirë se çka përmban ajo si dhe se cilat janë qëndrimet e dy blloqeve politike kundërshtare në raport me atë, u shpreh Presidenti i vendit gjatë një interviste për portalin “faktor”.
Sipas tij nuk mund të ketë ndonjë dëm për identitetin maqedonas përfshirja edhe e 6 kombeve në Kushtetutë përderisa për 22 vite në të janë përfshirë 7 kombe apo pjesë të kombeve.
“Për fat të keq opozita vendosi që më shumë të kujdeset për vlerësimet e saja sesa për interesat strategjike të shtetit, dhe kjo është e vetmja arsye për të cilën është e pasigurt nëse do të ketë ndryshime kushtetuese”, theksoi Pendarovski.
Përderisa foli për punën e tij në mandatin presidencial, Pendarovski theksoi se në këto 4 vite ka pasur edhe situata që kanë shkuar përtej asaj që quhet rutinë politike të cilat në raste edhe e kanë lënë vendin në një provë shumë serioze, e që si raste të tilla ai përmendi periudhën me pandeminë e Kovid-19, shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të shpërbërjes së Parlamentit, qeverinë me mandat teknik, luftën në Ukrainë, ku sipas tij përfshirja ishte aktive pasi ishim edhe vend anëtar i NATO-s, si dhe kornizën negociuese evropiane e cila u miratua në një atmosferë të tensionuar, por që siç tha ai, e njëjta ka mbrojtur interesat kombëtare të maqedonasve si identitetin dhe gjuhën, dhe e cila ka mundësuar që pas 17 vitesh të fillojnë negociatat me BE-në.
“Por përsëri sa i përket punës time në këto katër vite, në këto kushte, fjalën e fundit duhet ta thonë qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Ajo që unë mund të them është vetëm se në kuadër të kompetencave të mia kam investuar sinqerisht me të gjitha njohuritë dhe aftësitë e mia për të marrë vendime që do të jenë në interes të gjithë qytetarëve tanë”, u shpreh Pendarovski.